Presidenca suedeze: Dialogu mes partive, kusht për integrimin në BE
Partitë politike në Shqipëri duhet të punojnë së bashku në mënyrë që të përshpejtohet integrimi i vendit në BE. Ky është mesazhi i qartë që vjen nga Presidenca suedeze e BE-së, gjatë komenteve që i bëri raportit të ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosh, mbajtur para Këshillit të Sigurimit në Vjenë dy ditë më parë. Në të njëjtën kohë, një deklarim i tillë vjen edhe pas përplasjeve mes opozitës dhe maxhorancës në lidhje me shkeljet e konstatuara në zgjedhjet e 28 qershorit. Përfaqësuesja e Përhershme e Suedisë në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, zonja Veronika Bard Briengeus, ka mbajtur një deklaratë në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, duke theksuar se është e nevojshme prania e Prezencës edhe gjatë vitit 2010 për shkak të reformave. Në emër të BE-së ajo ka bërë apel për institucionet shqiptare që të vazhdojnë reformat, sidomos në sektorët e konsideruar problematikë në Raportin e Progresit të Komisionit Europian.
Deklarata
Fill pas raportimit të ambasadorit Bosh në Vjenë, kryesuesja e radhës së BE-së, Suedia, ka përcjellë një mesazh të qartë për politikën shqiptare. “Bashkimi Europian inkurajon të gjitha partitë politike në Shqipëri për të ndjekur një dialog konstruktiv politik”, - thuhet në deklaratën e bërë nga Veronika Bard Bringéus, përfaqësuesja e përhershme e Suedisë në OSBE. Sipas saj, duke mbajtur një dialog të përhershëm në Parlament është një element kyç i demokracisë. “Për përparimin ambicioz në rrugën drejt anëtarësimit në BE, të gjitha forcat politike duhet të punojnë së bashku dhe të ngrihen mbi politikat e ngushta të partive”, - tha zonja Bard Bringeus. Në prezantimin e saj ajo ka vlerësuar reformat e bëra nga institucionet shqiptare dhe bashkëpunimin rajonal, por ka kujtuar se puna kryesore duhet të përqendrohet në pikat kritike që konstatoi Raporti i Progresit të Komisionit Europian më 14 tetor të këtij viti. Reformat në Gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut, plotësimi i legjislacionit dhe zbatueshmëria e ligjit janë ndër pikat ku duhet të bëhet progres. Një mesazh vjen nga Presidenca suedeze edhe për gjendjen e medias dhe përmirësimet në kuadrin ligjor në këtë fushë. “Na vjen keq që disa presione janë zbatuar nga Ekzekutivi në periudhën që mbulohet nga ky raport, kryesisht financiare, por edhe me veprim selektiv ndaj operatorëve të medias”, - tha ambasadorja Bard Bringeus. Së fundi, ajo e konsideron të domosdoshme praninë e OSBE-së në Shqipëri, për të monitoruar dhe asistuar proceset demokratike në vend.
Raporti
Dy ditë më parë, ambasadori Bosh mbajti raportin vjetor për standardet e arritura nga Shqipëria, duke u ndaluar veçanërisht te zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, Kolegji Zgjedhor dha vendime të nxituara. Në skanerin që u bëri zgjedhjeve, zoti Bosh foli me gjuhën e raportit “Grosruk-Glover”. Përfaqësuesi i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë kërkoi nga opozita që të kthehet në Kuvend. Por, në një linjë tjetër është Komisioni Europian, i cili i ka bërë thirrje qeverisë që të nisë bisedimet për zgjidhjen e krizës në vend.
Reagimi
Meta: “Jemi të hapur për dialog me opozitën”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, është shprehur i gatshëm për dialog me opozitën në hapësirat që lejon korniza ligjore. Këto komente zoti Meta i bëri në komentet që bëri dje për raportin e OSBE-së dhe qëndrimet e BE-së dhe SHBA-ve. “Maxhoranca ka afruar të gjitha mundësitë dhe hapësirat që lejon sistemi ynë kushtetues dhe institucional dhe askush nuk duhet të kërkojë nga një maxhorancë që të ndryshojë thelbin e këtij sistemi, i cili ka të bëjë me pavarësinë e pushteteve, ku element kyç mbetet pavarësia e Gjyqësorit”, - tha kryetari i LSI-së, parti në koalicion qeverisës me PD-në. Sipas tij, “gjithçka tjetër është e hapur për t’u diskutuar dhe për t’u zgjidhur me dialog”. Shefi i Diplomacisë shqiptare vlerësoi raportin e Boshit në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë dhe deklaratat e bëra nga institucionet ndërkombëtare.
Moisiu: “Negociatorët e Marrëveshjes me Greqinë, jokompetentë”
Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i ka cilësuar inkompetentë negociatorët shqiptarë që kanë nënshkruar Marrëveshjen e kufijve detarë me shtetin fqinj, Greqinë. Gjatë fjalës së mbajtur dje në një konferencë mbi integritetin e drejtuesve, ish-Presidenti i Republikës, Moisiu, komentoi për herë të parë Marrëveshjen për kufijtë detarë me Greqinë, duke u shprehur se negociatorët shqiptarë e kanë trajtuar në mënyrë jokompetente këtë çështje delikate gjatë hartimit të Marrëveshjes me palën greke. “Mendoj se nuk është e vështirë të konkludohet se në këtë mes ke të bësh me një veprim që duket qartë që është trajtuar me një mënyrë jokompetente nga ata që ishin ngarkuar për të menaxhuar hartimin e saj”, - është shprehur ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Ish-presidenti i vendit vlerësoi rolin e medias si një faktor pozitiv që realizoi transparencën e Marrëveshjes. “Fakti që një pjesë e mirë e medias së pavarur u angazhua me të drejtë dhe me forcë në bërjen sa më transparente të problemit, mendoj se ishte një faktor tepër ndihmues për të qartësuar se çfarë ishte e drejtë dhe çfarë jo. Gjithashtu, fakti që miratimi i Marrëveshjes u shty më tej tregon se forca e opinionit publik dhe e medias kur tregohet integritet në trajtimin e problemeve dhe mbahet qëndrim i tillë, jep rezultate pozitive”, - është shprehur ish-presidenti. Për këtë çështje, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i cili mohon pretendimet e opozitës për falje të territoreve detare Greqisë, ka ftuar vazhdimisht personat e interesuar që të marrin informacion në Ministrinë e Jashtme për këtë marrëveshje. Marrëveshja për kufijtë detarë është firmosur në prill të 2009-s nga dy qeveritë, ndërsa pretendohet nga opozita se me këtë marrëveshje vendi ynë i fal Greqisë 354 km katrorë sipërfaqe ujore në detin Jon.
24 Tetor 2009