E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismaili hakmerret ndaj Shtutgart: Kënaqësi t‘i shënosh ish-skuadrës

Hakmarrja është një pjatë që hahet e ftohtë. Një shprehje që nuk i shkon shumë për shtat talentit shqiptaro-maqedonas, Shaban Ismaili. Duke përfituar nga shorti në Kupën e Gjermanisë, 20-vjeçari nuk humbi kohë dhe në mundësinë e parë që iu dha, "ndëshkoi" ish-skuadrën e tij, Shtutgartin. Sulmuesi, i transferuar në formë huazimi te SG Zonenhof Grosaspah (Ligën Rajonale të Jugut, Kategoria e Katërt) shënoi në takimin e turit të parë të DFB-Pokal kundër ekipit që u rendit në vendin e tretë gjatë sezonit të kaluar në Bundesligë dhe tashmë do të luajë në Ligën e Kampioneve. Ai hapi serinë e golave në të 37-n, por në pjesën e dytë miqtë e përmbysën rezultatin dhe fituan me rezultatin 4-1. "Ëndërroja të fitonim, por asnjëherë se do të kisha shënuar në këtë ndeshje. Goli kundër ish-skuadrës time pa dyshim që më ka dhënë shumë kënaqësi. Të gjithë dëshirojnë të shënojnë në portën e ekipit që kanë luajtur në të kaluarën, kjo të dhuron një shije të veçantë", deklaroi Ismaili, i cili ka qenë pjesë e ekipit të dytë të Shtutgartit, që militonte në Ligën 3. "Fillimisht doja të puthja fanellën e Grosaspahut, por mendova se ky do të ishte një veprim i ekzagjeruar dhe vetëm sa vrapova poshtë tribunës së tifozëve". Lojtari, i cili ka edhe pasaportë shqiptare dhe mund të thirret në Kombëtaret kuqezi të moshave theksoi se goli i avantazhit ndikoi në humbjen e ndeshjes. "Trajneri Hartman tha pas ndeshjes se skuadra ishte shumë euforike gjatë pushimit mes dy pjesëve të lojës? Po, është e vërtetë. Menduam shumë shpejt se e fituam takimin, ky ishte një gabim. Ata janë një ekip elitar dhe diferenca e kualitetit në fushën e lojës u pa qartë në pjesën e dytë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›