E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rapolder kërkon Skerajn te Koblenz

Shqipron Skeraj, 23-vjeçari nga Kosova duket se e ka bindur trajnerin e TuS Koblenzit, Uve Rapolder, për kualitetin e tij. Drejtuesi i stolit të skuadrës që militon në Bundesligën 2 gjermane ngulmon që drejtuesit e klubit t‘i ofrojnë kontratë mbrojtësit, madje, është i gatshëm që të sakrifikojë edhe rrogën e tij për të mbajtur lojtarin. Skeraj, i cili gjatë sezonit të kaluar mbrojti ngjyrat e Greuther Furtit, pas disa ditëve stërvitje te Koblenzi, e kaloi me sukses provën. Tashmë mbetet vetëm firma, në vonesën e të cilës ndikon situata jo e mirë financiare e klubit. Lojtari i përfaqësueses së Kosovës tha: "Rapolder do të bisedojë me drejtuesit e klubit për të më ofruar kontratë. Ai dëshiron të më mbajë në skuadër, por problemi është situata jo e mirë financiare e klubit. Trajneri më ka thënë se do të lerë para nga rroga e tij, vetëm për të më mbajtur në ekip". Aktualisht në këtë skuadër luajnë katër futbollistë shqiptarë, Almir Murati, Renaldo Rama dhe vëllezërit Shefki e Njazi Kuqi, ndërsa Rapolder interesohet edhe për Skelën. Dje, në sfidën për Kupën e Gjermanisë, Koblenzi fitoi 4-0 në fushën e Konkordia Hamburg, ku dy prej golave u shënuan nga Njazi Kuqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›