E Shtunë, 31 Tetor 2026

Istogu shënoi 12-vjetorin e çlirimit

Nga Express më 20 qershor 2011 në ora 21:00

Me rastin e 12-vjetorit të çlirimit të Komunës së Istogut, të hënën në një atmosferë festive, është mbajtur akademi solemne për të shënuar këtë datë të rëndësishme për qytetarët istogasë.

“Kaluan 12 vite kur Kosova me rezistencën, angazhimin, sakrificën, mundin dhe gjakun e derdhur të djemve dhe vashave më të mira të këtij vendi, me përkrahjen e fuqishme të tërë botës liridashëse, në veçanti të miqve të Kosovës, SHBA-së dhe Evropës, është liruar dhe jeton në paqe”, ka thënë kryesuesi i Kuvendit Komunal të Istogut, Demë Qeta, i cili në vazhdim ka bërë një retrospektivë të përpjekjeve shekullore të këtij populli për të ardhur te liria, të cilën sot e gëzojmë.

“Vitet e kaluara, të cilat kanë sjellë këtë fryt të lirisë, i karakterizon një organizim i madhërishëm i popullit shqiptarë që mahniti tërë shtetet e botës, nën udhëheqjen e presidentit të parë dhe historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, dhe me luftën e pa kompromis të djemve dhe vajzave të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Istogu sot feston këtë ditë lirie dhe në këto momente festive me pietet dhe nderim të lartë i përkujtojmë të gjithë dëshmorët që në fushën e nderit dhanë jetën e tyre. E përkujtojmë Kryetarin e përjetshëm të komunës sonë Fadil Ferati, që më punën dhe angazhimin e tij të pamohueshëm, si në kohët e rezistencës dhe në paqe e udhëhoqi këtë komunë drejt progresit dhe prosperitetit”, ka vazhduar Qeta.

Në mungesë të kryetarit Haki Rugova, i cili ndodhej në Prishtinë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore me rasti e vdekjes së deputetes së Kuvendit të kosovës dhe anëtares së kryesisë së LDK-së Nekibe Kelmendi, nënkryetari i komunës Agim Ademaj me bashkëpunëtorë, përfaqësues të partive politike dhe organizatave të dala nga lufta, përfaqësues të FSK-së, të policisë dhe qytetarë të shumtë, benë homazhe dhe kanë vënë kurora lulesh pran pllakës përkujtimore të dëshmorëve në qendër të qytetit dhe kanë vizituar varrin ish-kryetarit të Istogut, Fadil Ferati.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›