Z. Feith, pse të hetuan?
Shefi i ICO’së, Pieter Feith, ishte parë me simpati nga kosovarët, kur muaj më parë, teksa po formohej Qeveria e re, deklaronte se njerëzit që janë nën hetime nga drejtësia, nuk duhet të hyjnë në Ekzekutiv.
Në një vend me shkallë jashtëzakonisht të lartë të korrupsionit, deklaratat e holandezit shiheshin si një goditje e fortë për ministrat që ishin bërë sinonim i zyrtarëve që fusin dorën në arkat e taksapaguesve.
Por, në kohën kur shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare i ka bërë këto deklarata, edhe ai vetë, zyrtarisht, ishte nën hetime nga Misioni Europian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit, EULEX.
Burime të gazetës Express nga EULEX’i thonë se një prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës e ka hetuar Pieter Feithin.
“Hetimet janë zhvilluar në lidhje me zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës”, ka thënë zyrtari i EULEX’it, i cili foli në kushte anonimiteti për Express.
Sipas tij, Pieter Feith dyshohet se ka qenë direkt i involvuar në zgjedhjen e guvernatorit.
“Ne kemi pasur dëshmi se z. Feith ka ndikuar te Bordi i Bankës Qendrore, që në pozitën e guvernatorit të zgjidhej Gani Gërguri. Dhe, siç është i njoftuar opinioni, tash z. Gërguri është duke e ushtruar këtë funksion”.
EULEX’i, thotë ky zyrtar, ka konsideruar se ka bazë për nisjen e hetimeve, të cilat do ta nxirrnin të vërtetën se pse Feith po përzihet me kaq ngulm në zgjedhjen e Gani Gërgurit në këtë pozitë.
Gazeta Express ka siguruar edhe një letër që shefi i ICO’së ia ka dërguar Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, më datën 10 mars 2011.
Letra involvon Pieter Feithin plotësisht në zgjedhjen e guvernatorit.
“Ju falënderoj për letrën informuese mbi kandidatët e përzgjedhur për pozitën e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës”, e nis Feith letrën e tij, drejtuar Mehdi Bektashit dhe Lulzim Ismajlit, anëtarë të Bordit të Bankës Qendrore.
“E kuptoj që kandidatët e përzgjedhur kanë qenë të zgjedhur nga lista e gjithsej 27 kandidatëve që kanë aplikuar. Unë do të doja t’ju përgëzoj për procesin e përzgjedhjes në mënyrë profesionale dhe transparente”, vazhdon letra e Feith për Bordin e Bankës Qendrore.
Më pas, shefi i ICO’së tregon se kush duhet të zgjidhet guvernator, e kush jo.
“Megjithatë, duket se një nga kandidatët në listën tuaj, z Gazmend Luboteni është i papërshtatshëm për t’u emëruar në bazë të Nenit 18.6 të Ligjit të mëparshëm për Bankën Qendrore të Kosovës (Nr. 03/L-209), që siguron se anëtar i Bordit mund të shërbejë vetëm për një periudhë maksimale prej dhjetë vjetësh në Bordin e Bankës Qendrore”, shkruan Feith.
“Në kuptim të kësaj, unë do të sugjeroja që lista e ngushtë të rishikohet edhe një herë dhe të jetë në përputhje me rrethanat. Do të doja të ritheksoj se edhe gjatë konsultimeve me akterët e tjerë relevantë, unë plotësisht mbështes mendimin tuaj se nga kandidatët e përshtatur për pozitën e mbetur në listën e përzgjedhur, z. Gani Gërguri është dukshëm kandidati më i kualifikuar dhe më i dëshiruar për postin e guvernatorit të BQK’së”, thuhet në letrën e Shefit të ICO’së.
E, siç u pa më vonë, Bordi ka përfillur plotësisht “sugjerimin” e Pieter Feithit dhe Gani Gërguri është aktualisht guvernator i Bankës Qendrore.
Në bazë të Pakos së Presidentit Ahtisaari, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar nuk ka të drejtë ta emërojë guvernatorin e Bankës Qendrore.
“Drejtori gjeneral i Shërbimit të Doganës, drejtori i Administratës Tatimore, drejtori i Thesarit dhe drejtori menaxhues i Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës (AQBK) do të emërohen nga autoritetet kompetente për emërim, pas marrjes së pëlqimit nga PCN (Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar”, thuhet në Aneksin IX të Pakos së Ahtisaarit.
Zyrtari i EULEX’it që foli për Express, thotë se dyshohet se Feithi, jo vetëm që ka dhënë pëlqimin për zgjedhjen e Gani Gërgurit në postin e guvernatorit - të drejtë që ia jep Pakoja e Ahtisaarit - por ai ka pasur rol kryesor në zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Në numrin e nesërm, gazeta Express sjell dëshmi se çfarë ka ndodhur me hetimet e nisura nga Prokuroria Speciale kundër shefit të ICO’së, Pieter Feith.