Mbledhje komemorative për deputeten Kelmendi
(E plotësuar)Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendos që sot në orën 13.30 të mbahet mbledhje komemorative për deputeten Nekibe Kelmendi, e cila pas një sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë të dielën.
Rreth orës 14:00 në hollin e Kuvendit të Kosovës do të vendoset trupi i pajetë i deputetes Kelmendi, ku do të bëhen homazhe pranë trupit të saj.
Homazhet do të zgjasin deri në orën 15:30.
Ndërsa interpelanca e para parë të mbahet sot, shtyhet për javën e ardhshme.
Këtë e ka bërë të ditur kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Sa i përket interpelancës, kryeparlamentari Krasniqi tha se ajo shtyhet për javën e ardhshme, ku në mbledhje e ardhshme të kryesisë do të caktohet dita e mbajtjes së interpelancës.
Thaçi: Kelmendi do të mbetet përherë një bashkëpunëtore e sinqertë
Kryeministri Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Kelmendi, Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe LDK-së, me rastin e vdekjes së deputetes Nekibe Kelmendi, e cila një kohë ishte edhe ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës.
Në telegramin e tij kryeministri Thaçi shkruan se me pikëllim të madh e ka marrë lajmin që aktivistja shumëvjeçare e Kosovës, ish- ministrja e Drejtësisë në mandatin e kaluar qeveritar dhe aktualisht deputetja e Kuvendit, Nekibe Kelmendi ka ndërruar jetë.
Ai ka vlerësuar se Kelmendi ishte ndër aktivistet dhe intelektualet më aktive të Kosovës, që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke qenë e angazhuar në institucionet e Kosovës deri në momentet e fundit të jetës.
“Zonja Kelmendi si nënë dhe bashkëshorte, përjetoi tmerret e dhunës dhe të gjenocidit të regjimit serb mbi popullin e Kosovës, duke përjetuar vrasjen e bashkëshortit dhe fëmijëve të saj. Edhe në këtë gjendje, znj.Kelmendi gjeti forcën që të vazhdojë përkushtimet e saj për të mirën e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, ka thënë Thaçi.
Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Kelmendi, Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministri Thaçi ka thënë se në kujtesën e tij Nekibe Kelmendi do të mbetet përherë një bashkëpunëtore e sinqertë.
“Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, kam pasur fatin që të punoj bashkë me ministren Kelmendi, në mandatin e kaluar qeveritar. Në kujtesën time, znj.Kelmendi do të mbetet përherë një bashkëpunëtore e sinqertë, e angazhuar në forcimin dhe konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës, për të cilin ajo dhe familja e saj sakrifikuan shumë’, thuhet ndër të tjera në ngushëllimet e kryeministrit.
Ndryshe pas një sëmundje të rëndë, në moshën 67-vjeçare ka ndërruar jetë të dielën në mbrëmje deputetja në Kuvendin e Kosovës, Nekibe Kelmendi.
Vdiq deputetja Nekibe Kelmendi
Pas një sëmundje të rëndë në disa muaj të fundit, të dielën ka vdekur deputetja në Kuvendin e Kosovës, Nekibe Kelmendi. Lajmin për vdekjen e saj e konfirmoi për KTV-në sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.
Në qeverinë e kaluar të Kosovës, Kelmendi ishte ministre e Drejtësisë, si dhe ka kryer funksione të larta partiake në LDK.
Në vitin 1999, ditën e parë pas fillimit të bombardimeve, forcat okupuese serbe ia vranë bashkëshortin, avokatin e njohur dhe aktivistin e të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e saj, Kushtrim e Kastriot Kelmendi.