Isufi: Pengesat nuk po na lënë të fuqizohemi politikisht

Përballja për herë të dytë me drejtësin e liderit të Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe procesi gjyqësor ndaj kryetarit të Suharekës, njëherësh edhe sekretarit të kësaj partie, Blerim Kuçi, konsiderohen si procese të montuara politikisht, të cilat dëmtojnë jo vetëm imazhin e AAK-së, por edhe politikën e Kosovës në përgjithësi.
Përkundër kësaj, drejtues të këtij subjekti politik konsiderojnë se gjatë njëmbëdhjtë vjetëve të veprimit të saj, janë shënuar të arritura. Nëjqind ditëshi i qeverisë Haradinaj vlerësohet të ketë qenë tejet dinamik dhe me koncepte shtetformuese në atë kohë.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, në një intervistë për Kosovapress, ka thënë se përvjetori i njëmbëdhjetë i formimit po e gjenë AAK-në pa liderin e saj, Ramush Haradinaj, fakt ky i cili e ka dëmtuar partinë edhe në aspektin e përqindjes së fituar gjatë proceseve zgjedhore.
“Pengesat që janë bërë në vazhdimësi në AAK, duke na goditur me motive të ulëta, gjithmonë kanë bërë që në Aleancë të mos na lejojnë të fuqizohemi më shumë. Vetë shkuaraja për herë të dytë e Haradinajt në Hagë na ka zbritur në njëmbëdhjetë përqind, gjë që tregon se lideri i AAK-së ka një fuqi lideriste dhe munegsa e tij ndikon që edhe vota të bjerë. Ne kemi besim shumë, që vija e AAK-së do të mbahet, nuk do të ulet nën shifrën që është tani, por me kthimin e Haradinajt ne e dimë që do të arrijmë suksese shumë më të medha”, tha Isufi.
Isufi ka shprehur bindjen e tij që shtatori të jetë fundi i procesit gjyqësor ndaj Haradinajt, i cili konsiderohet kryekëput trillim i krijuar nga Beogradi.
Ai po ashtu ka vlerësuar se procesi gjyqësor i filluar ndaj kryetarit të Suharekës, Blerim Kuçi ka të bëjë me përfitime politike në kurriz të AAK-së.
Isufi ka rikujtuar se AAK është themeluar nga shkrirja e pesë subjekteve politike në atë kohë, porse tani ka arrit që të krijojë identitetin dhe vijën e funksionimit të vet, duke bërë që për njëmbëdhjetë vjet me radhë të ketë qenë pjesë e ndikimeve politike dhe angazhimeve shtetformuese në Kosovë.
Largimin e pjesës dërmuese të themeluesve të AAK-së, nënkryetari i kësaj partie e ka quajtur zhvillim normal, i cili është në përputhje me zhvillimet politike edhe në subjektet tjera ekzistuese. Megjithatë, ai konsideron se AAK ka një strukturë shumë stabile, e cila për asnjë moment nuk ka qenë e luhatshme.
“Kjo ka ndodhur në të gjitha partitë, nuk është e quditshme të ndodh edhe në AAK, megjithatë vizioni, ideja përfundimtare e AAK-së për krjimin e shtetit dhe një mirëqenie më të mirë për qytetarët e Kosovës, për ndërtim, zhvillim dhe një mirëqenie më të madhe gjithmon do të ekzistojë, sepse kuadrot të cilat janë të binduara në këtë vizion do ta mbajnë AAK-së dhe AAK me shtyllën kryesore me Ramush Hardinajn në krye absolutisht do të mbajë kursin që ka pasur dhe do ta ketë edhe në të ardhmen”, tha ai.
Njëri nga themeluesit e AAK-së, ka ritheksuar edhe njëheë qëndrimin kritik të kësaj partie karshi qeverisë aktuale. Ai ka pohuar se duhet të ndryshohet mënyra e qeverisjes, sepse nuk është në nivelin që i duhet qytetarit të Kosovës.
Isufi ka thënë se edhe pas tri vjetëve të shtetësisë së saj, një e katërta e territorit të Kosovës nuk administrohet dhe nuk qeveriset nga institucionet e vendit, ekzistojnë probleme sociale dhe një stagnim i zhvillimit ekonomik.
Sipas tij, të gjitha ngecjet në Kosovë janë reflektim i mungesë së vizionit të qeverisë së tanishme, e cila ka degraduar nivelin e qeverisjes.
“Në një qeveri, në të cilën bëhen kompromise themelore me ministri vetëm pse duhet dikush ta zërë një vend. Kemi gjashtë zëvendëskryeministra, që është e quditshme për një vend kaq të vogël, derisa në botë askund nuk ka këso kostelacionesh që përbëjnë një qeversije, kemi diku mbi tridhjetë zëvendësministra të cilët ende nuk janë emëruar. Nëse opozita paska qenë fajtore për zgjedhjet që janë shtyrë, sepse vazhdimisht kryeministri Thaçi e ka fajësuar opozitën, atëherë kush po e ndal që t’i krijojë sa më shpjetë mekanizmat të cilët jenë funksional për vendin”, tha ai.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është themeluar më 2 maj të vitit 2000, në kohën kur dy pozicionet kryesore të politikës i kishin LDK-ja, që barte traditën e një lëvizjeje paqësore dhe PDK-ja, e cila ishte krijuar nga një pjesë e njerëzve që kishin qenë pjesë e UÇK-së.
AAK është krijuar me iniciativën e kryetarit të tanishëm, Ramush Hardinaj, atëherë zëvendëskomandant në Trupat Mbrojtëse të Kosovës./kosovapress/