E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shala: Kjo politikë ofron përditë rrenën si të vërtetë

Nga Express më 02 maj 2011 në ora 20:43

Në përvjetorin e 11 të themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), drejtuesit e saj nuk kanë lënë pa kritikuar udhëheqësit e institucioneve të vendit, ndërsa kanë shprehur besimin në rikthimin sa më të shpejt të liderit të saj Ramush Haradinaj, për të udhëhequr vendin.

Në këtë përvjetor të AAK-së përveç ambasadorit të Francës, Jean-François Fitou, ambasador dhe përfaqësues të zyrave diplomatike, kanë munguar gjithashtu edhe zyrtarë nga subjektet rivale politike.

Një fjalë rasti me këtë rast ka mbajtur nënkryetari i parë i kësaj partie, Blerim Shala, i cili tha se gati për çdo ditë kjo shoqëri, shënon përvjetor të rëndësishëm të historisë sonë, duke shtuar se manifestimet e këtilla që kanë nisë të shndërrohen në rituale të mërzitshme, nuk shfrytëzohen gati kurrë që të shihet ku është Kosova sot si shtet, si shoqëri dhe si qytetarë.

Shala ka theksuar se nuk mund të matet e tashmja me kutin e të kaluarës, por me atë të së ardhmes, me atë që përmbledhë synimet tona, për t’u bërë një vend demokratik, një shoqëri me qytetarë të kënaqur, një shtet që është do të jetë në paktin e NATO-s dhe BE-së. Por sipas tij me politikën e sotme kosovare, këto synime s’janë gjë tjetër, pos ëndërr. Shala duke kritikuar klasën politike që është duke udhëhequr vendin, ka thënë se ata janë duke u tallur me votën, me vullnetin e qytetarëve, ndërsa nuk e luftojnë dukurin e korrupsionit, por e forcojnë atë.

“Kjo politikë ofron përditë rrenën si të vërtetë, interesin personal të politikanëve e promovon si interes kombëtarë dhe shtetërorë, mirëqenien familjare e paraqet si të mirë të të gjithëve, mashtrimin e radhës si një plan të ri për mëkëmbjen e vendit. Kjo politikë tallet me votën dhe me vullnetin e qytetarëve, përqeshë Kushtetutën dhe ligjet, e lufton korrupsionin me fjalë dhe e forcon atë me vepër, e varfëron Kosovën në të gjitha mënyrat e mundshme dhe e pasuron veten pa zgjedhë mjete, e futë krejt një popull në rrugë qorre, i bënë qytetarët e vendit më të izoluarit në botë, më të varfëritë në Evropë, më të pa perspektivët në Ballkan”, ka theksuar Shala.

Nënkryetari i parë ka thënë se AAK-ja duhet të nxjerrë mësimet nga gabimet dhe dështimet. Duke shtuar se është njerëzore të shikohet në pasqyrën e realitetit dhe të kuptohet që duhet të ndryshohet shumë, si një parti politike, fuqizimi i të cilës lidhet me forcimin e vendit, me kthimin e dinjitetit politikës kosovare, me gjetjen e rrugës së drejtë për Kosovën. Për më tepër ai ka shtuar se Kosovës i duhet një AAK më e mirë se sa kjo e sotmja.

Shala ka theksuar AAK-ja ka pësuar më së shumti nga mungesa e liderit, Ramush Haradinaj, por sipas tij ai edhe për të dytën herë do të dal triumfues.

“Si AAK, por edhe si Kosovë, më së shumti kemi pësuar me mungesën e liderit tonë, Ramush Haradinajt, i cili po duhet të bëjë atë që askush para tij nuk ka bërë, të fitojë edhe për së dyti pafajësinë e tij në Tribunalin ndërkombëtar. Zatën, Ramush Haradinaj njihet si njeri që bën atë që askush tjetër nuk e bën”, ka shtuar ai.

Shala ka pohuar në muajt e fundit AAK-në e ka dëmtuar edhe burgosja e padrejtë e Blerim Kuçit, kryetarit të Suharekës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›