E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, 40 kg kokainë mes kosit e djathit, prangosen 2 shqiptarë

BERGAMO-Plot 40 kg kokainë të fshehur mes kosit dhe djathit është kapur në Itali në një kamion transporti të drejtuar nga 2 shoferë shqiptarë. Kjo ishte rruga më e cuditshme që 2 shqiptarë kishin zgjedhur të trafikonin kokainë të pastër.
Dy shqiptarët mosha 47 dhe 52 vjec banues në Bergamo punonin prej kohësh në transportin e produkteve të qumështit në këtë zonë, deri në momentin kur u kapën nga karabinierët.

Nga hetimi prej disa kohësh ndaj disa shpërndarësve të drogës, karabinierët kishin pikasur se në kamionin e shqiptarëve nuk transportohej vetëm kos dhe djathë, por dicka me tepër deri në momentin kur i kapën në flagrancë me drogën që vlen të paktën, 5 milionë euro.

40 kg e kokainës ishin ndarë në 38 kallepe, madje shqiptarët i kishin lyer me mente kallupet që qentë me erë të mos e gjurmonin lehtë. E megjithatë, qentë antidrogë mundën ta gjejnë mallin e fshehur në kamionin e kosit dhe djathit.

Dyshohet se kokaina vinte nga Amerika e Jugut dhe kishte si destinacion përfundimtar, Hollandën. Duket se transporti i mahnitshëm i kokainës kishte gjetur prej kohësh zgjidhje nëpërmjet kamionëve të kosit e djathit.
Ndërkohë produktet e qumështit nga Bergamo dërgoheshin në Toskana, Lombardi dhe Emilio Romanja.

Ndërkohë 2 shqiptarët, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, janë në burgun e Novates.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Pamje nga kokaina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›