Itali, Amauri i mbyll derën Kasanos
Paradoksi, duke e parë nga kjo perspektivë, është se Amauri në njëfarë mënyre do t‘i mbyllë portën për në Kombëtaren italiane Kasanos. Kur duhet edhe 9 muaj deri në Botërorin 2010, kjo është ajo që ndihet në shtëpinë e Italisë, ku, pas kualifikimit për në Botëror, Marçelo Lipi më në fund mund të fillojë të mendojë për 23 lojtarët që do të grumbullojë. Mes lojtarëve më të dyshuar janë të tjerë të mëdhenj të futbollit italian: nga Nesta te Del Piero e deri te Toti. Të gjithë lojtarë të nivelit të lartë, por që nuk kanë marrë pjesë në ndeshjet eliminatore dhe që duket se Lipi i konsideron jashtë grupit të tij. Të gjithë, përjashto këtu Amaurin, për të cilin trajneri duket se do të bëjë një përjashtim. Gjithsesi, për momentin, Antonio Kasano është futbollisti që të gjithë italianët do të kishin dëshirë ta shikonin në Botëror, për arsye të moshës dhe sepse shikohet si e ardhmja e futbollit italian.