Skela "driblon" Mynih 1860, fantazisti zgjedh TuS Koblenc
Ervin Skela vendos t‘i bashkohet "kolonisë" shqiptare që luan në radhët e TuS Koblencit, në Bundesligën II gjermane. Mesfushori i Kombëtares shqiptare "dribloi" në momentin e fundit Mynih 1860. Gjatë fundjavës së kaluar, ai kishte lëshuar një mesazh të qartë për drejtuesit e klubit nga Mynihu: "Tani duhet të zgjedh shpejt. Javët e fundit kanë qenë mjaft të vështira, nuk duroj dot më duke ndjekur ndeshjet e kampionatit gjerman vetëm nëpërmjet televizorit". Deklarata dukej e sinqertë, por këto fjalë nuk janë pritur mirë nga drejtuesit dhe stafi teknik i "luanëve". Edhe pse e mahniti trajnerin Evald Linen me paraqitjen në miqësoren ndaj Grojther Furthit, Skela zgjodhi një skuadër më pak të njohur, siç është Koblenci. "Vendimi i lojtarit për të zgjedhur një rivalen tonë në Ligën 2 nuk erdhi sepse ne ‘fjetëm‘. Aspak! Ne donim ta ndiqnim Skelën në kushtet e një ndeshjeje të vërtetë, por ai nuk preferoi të priste deri sa të formulonim ofertën", tha tekniku, i cili nuk e fshehu faktin që ky vendim ishte i papritur. "Më duket paksa e çuditshme që Skela i ka premtuar Koblencit se do të luajë atje. Ky klub kishte tre muaj kohë që të firmoste me lojtarin, madje ai ka zhvilluar disa javë stërvitje me ta. Papritmas, kur Mynih 1860 u interesua, ai vendosi një afat kohor prej vetëm tri orësh. Ka diçka që nuk shkon".
Pavarësisht dyshimeve të Linen, Skela zgjodhi të luante për një skuadër që e kërkonte me forcë, por kishte vështirësi financiare për të plotësuar pretendimet e shqiptarit. Mbi të gjitha te TuS Koblenci ai rigjen trajnerin Uve Rapolder, me të cilin ka luajtur në sezonin 2004-2005 tek Arminia, si edhe një koloni të vërtetë shqiptare. Në fakt, në këtë skuadër militojnë vëllezërit Shefki dhe Njazi Kuqi, Renaldo Rama, Shqipran Skeraj dhe Aljmir Murati. Vetëm pak kohë më parë, kapiteni Shefki Kuqi i kishte bërë thirrje klubit të blinte Skelën, sepse ai është lojtari që i mungonte ekipit.
e. kodheli