E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën Huntelar, afrohet Pavliçenko

Huntelar largohet nga Milani, ndërsa skuadra do të përforcohet me Gareth Bejl e Roman Pavliuçenkon. Ky është skenari i mundshëm i merkatos së janarit në skuadrën kuqezi. Sipas "Daily Mail", drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend të presin që sulmuesi holandez, i afruar gjatë verës nga Reali i Madridit, të gjejë formën më të mirë dhe synojnë ta shesin. Italianët besojnë se sulmuesi i Totenhemit, Pavliçenko, është zëvendësuesi ideal. Trajneri i "spurs"-ave, Herri Redknap, duket se është shprehur në favor të kësaj manovre, edhe sepse gjatë merkatos së fundit, ai kishte shfaqur interes për Huntelar. Edhe lojtari i përfaqësueses ruse kërkon të ndryshojë skuadër, për të luajtur në një klub më të rëndësishëm. Por, pengesa e vetme është pretendimi i Milanit: ata nuk pranojnë një shkëmbim "kokë më kokë" për holandezin, i cili kushtoi rreth 15 milionë euro dhe synojnë të fusin në marrëveshje edhe mbrojtësin e krahut, Bejl. Ky i fundit vlerësohet shumë në radhët e londinezëve, por momentalisht ai nuk luan si titullar fiks. Të gjithë këto elementë bëjnë që kuqezinjtë të jenë optimistë se në janar do të përforcojnë sulmin dhe krahun e majtë të repartit difensiv. Në këtë periudhë, skuadrës pritet t‘i shtohet edhe Devid Bekham. Rreth huazimit të dytë të anglezit, Galiani deklaroi: "Shanset që Bekham të vijë te Milani deri më 30 qershor janë të mira. Gjithsesi, asgjë nuk është e sigurt, deri në momentin kur firmoset kontrata". Sipas "Sportmediaset", klubi kërkon ta afrojë mesfushorin britanik, por ka vështirësi për t‘i paguar rrogën me vlerë 85 mijë euro në javë, duke spekuluar se marrëveshja mund të mos realizohet.

Por, shqetësimi afatshkurtër i Milanit mbetet trajneri. Një fitore kundër Romës (të dielën në "San Siro") dhe një barazim kundër Realit në Champions (rezultati minimal që pretendohet për sfidën e 21 tetorit në "Santiago Bernabeu") do t‘i siguronin Leonardos vazhdimësinë në krye të skuadrës. Pozitat e trajnerit vazhdojnë të jenë të lëkundura, pasi barazimi në fushën e Atalantës nuk i ka "fshirë" dyshimet për mënyrën sesi po drejtohet skuadra në këto momente. Për sfidën me Romën, tekniku brazilian mund të ketë në dispozicion edhe shërbimet e Tiago Silvës dhe Abiatit. Mbrojtësi do të kthehet në qendër të mbrojtjes përkrah Nestës, ndërsa portieri pritet të jetë vetëm në stolin e rezervave, duke qenë se Storari ka qenë njëri prej lojtarëve (të paktë) që janë paraqitur mirë. Tiago Silva do të japë kontributin e tij që mbrojtja të jetë më solide, por mesfusha dhe sulmi vazhdojnë të mos i bindin drejtuesit dhe stafin teknik. Në rast se do të bëhen hapa fals, në rrugën "Turati" kanë menduar seriozisht të ndryshojnë trajnerin. Filipo Gali shihet si njeriu i emergjencës, ndërsa kandidatë potencialë janë edhe Luçiano Spaleti dhe Marko van Basten.

Në këtë moment krize, Leonardo është konsultuar me "senatorët" e skuadrës, për të rikthyer rezultatet dhe qetësinë në ambientet e klubit. Mediat italiane janë shprehur të sigurta se "garda e vjetër" e ka bindur trajnerin që të ndryshojë skemën e lojës (deri më tani janë provuar të paktën tri variante). Në takimet e radhës rreshtimi 4-3-1-2 do të "arkivohet", për t‘i lënë hapësirë klasikes 4-4-2. Ky ndryshim bëhet për të sjellë ekuilibrat e humbur në skuadër, por garanton edhe më shumë mbulim në mbrojtje dhe më shumë sulme nga krahët. Skema e "re" rrezikon të penalizojë vetëm Ronaldinjon: pa fantazist pas shpinës së sulmuesve, Leonardo duhet të zgjedhë ndërmjet Gauços dhe Patos. Balotazh do të ketë edhe për sulmuesin e parë, ku Inzagi, Borrielo e Huntelar kërkojnë një fanellë titullari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›