Itali, Berluskoni nën presion nga të gjitha palët
Kriza qeveritare në Itali ka arritur një kulm të ri. Kryeministri i shumëpërfolur Silvio Berluskoni, duket është nën presion nga të gjitha palët, si nga e majta edhe nga e djathta. Opozita synon ta rrëzojë kryeministrin me një mocion mosbesimi. Po ashtu dje Xhanfranko Fini pritet të tërheqë nga qeveria e Berluskonit pasuesit e tij, ministrin për Europën, Andrea Ronçi, një zëvendësministër dhe dy sekretarë shteti. Ai nuk do të japë kurrë dorëheqjen - kjo ishte deklarata e fundit e ende kryeministrit italian Silvio Berlusconi, të cilit i janë prerë krahët dhe është vetëm shef i një qeverie pakice. Në këtë mes është e qartë se qëkurse aleati i dikurshëm i Berluskonit, Fini nuk e mbështet më atë dhe i ka bërë thirrje të japë dorëheqjen, gjithçka rrotullohet rreth pyetjes se kur do të shuhen dritat në pallatin e qeverisë dhe para së gjithash, kush do t’i shuajë ato. Fini është për momentin në një gjendje shumë komode: ai mund ta sjellë rrotull Berluskonin. Pa miratimin e tij, qeveria nuk miraton dot asnjë lloj projekti në parlament. Mosdëshira e Berluskonit për të dhënë dorëheqjen ka të bëjë para së gjithash me atë çfarë mund të ndodhë pas dorëheqjes. Në këtë mes përfytyrimet janë shumë të ndryshme. Përmbysja e qeverisë nuk do të thotë automatikisht zgjedhje të reja. E mundshme është që presidenti italian të emërojë një qeveri të përkohshme, në rast se arrihen shumicat për një konstrukt të tillë. Kjo nuk është e pamundur dhe Berluskoni ka frikë prej këtij varianti si djalli nga temiani. Një qeveri e tillë e përbërë nga forca të qendrës përreth Xhanfranko Finit, e toleruar prej së majtës, mund të vinte në vijë brenda një afati të caktuar disa projekte të caktuara, përpara se të zhvillohen zgjedhjet e reja. Një ndër to mund të ishte ndryshimi i ligjit elektoral, i cili përbën disavantazh për partitë e vogla dhe preferon aleanca të mëdha elektorale duke i mundësuar në këtë mënyrë Berluskonit zgjedhjen e vazhdueshme. Pikërisht për këtë ky ndryshim është një ndër kërkesat qendrore të kundërshtarit të Berluskonit, Xhanfranko Fini. Berluskoni nga ana e tij e konsideron veten si viktimë të një intrige dhe kërkon organizimin e menjëhershëm të zgjedhjeve të reja, duke e ditur, se do të kishte shanse të mira për t’i fituar ato. Ajo që mbetet e hapur është se çdo të ndodhë vërtet dhe para së gjithash kur. Silvio Berluskoni e ka përçarë thellë vendin. Aq thellë sa para tij vetëm ndoshta diktatori Benito Musolini. Njerëzit janë pro ose kundër tij, diçka të mesme nuk ka. Fakti që imazhi i Berluskonit në botën e jashtme është i mjerë, për shkak të deklaratave të tij prej fashisti apo raciste si dhe për shkak të sjelljeve të tij të afektuara prej macho-je dhe aferave me të mitura, apo që për shkak të mendjemadhësisë dhe të qëndrimit të tij sipërfaqësor vendi i tij është bërë qesharak, nuk luan ndonjë rol në Itali.
Ajo që dihet e sigurt është se në rast se do të organizohen vërtet zgjedhje të reja, multimiliarderi Berluskoni do të hyjë sërish në garë dhe do ta përmbysë vendin me një fushatë mediatike të paparë ndonjëherë deri më sot. Kjo do të thotë se kësaj periudhe qeverisjeje të Berluskonit do t'i vijë së shpejti fundi, por erës së Berluskonit në asnjë mënyrë ende jo. Edhe pse në fakt vërtet që është krejtësisht e pakuptueshme se përse ky njeri është në pushtet.
16 Nentor 2010