E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinton: “Politika jonë nuk përcaktohet në këto mesazhe”



Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha dje se publikimi i dokumenteve sekrete amerikane nga WikiLeaks, nuk është thjesht një sulm ndaj interesave të politikës së jashtme amerikane, por edhe një sulm ndaj komunitetit ndërkombëtar. Ajo i bëri komentet pas publikimit të qindra mijëra komunikimeve sensitive të Diplomacisë amerikane nga faqja e internetit. Dokumentet zbulojnë mendime të shprehura nga zyrtarë diplomatikë amerikanë për udhëheqës dhe ngjarje të ndryshme botërore, si dhe citojnë diskutime private të nivelit të lartë me zyrtarë të vendeve të ndryshme. Sekretarja Klinton tha se ajo ka pasur diskutime me homologët e saj lidhur me publikimin e dokumenteve nga WikiLeaks. “Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë publikimin e paligjshëm të informacionit sekret. Kjo vë jetë njerëzish në rrezik, kërcënon sigurimin kombëtar të vendit dhe minon përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të punuar me vende të tjera për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta”, - tha zonja Klinton.
Publikimi i dokumenteve nga WikiLeaks, - tha sekretarja Klinton, - nuk është thjesht një sulm ndaj interesave të politikës së jashtme amerikane, por edhe një sulm kundër komunitetit ndërkombëtar, aleancave dhe partneriteteve, bisedave dhe negociatave që shërbejnë për të ruajtur sigurinë globale dhe për të çuar përpara begatinë ekonomike.
Zonja Klinton tha se beson që partneritetet për ndërtimin e të cilave administrata e presidentit Obama ka punuar aq shumë, do ta përballojnë këtë sfidë.
Ajo tha se nuk do të komentonte dhe as do të konfirmonte rreth atyre që ajo i quajti “komunikime të vjedhura të Departamentit të Shtetit”. Por zonja Klinton shtoi se Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje të thellë rreth nxjerrjes së çdo informacioni që ka natyrë sekrete, duke përfshirë diskutime private mes homologësh ose vlerësime dhe vëzhgime personale të diplomatëve amerikanë.
Sekretarja e Shtetit tha se politika zyrtare e Shteteve të Bashkuara nuk përcaktohet nga këto mesazhe, por në Uashington. Politika amerikane, tha ajo, pasqyrohet në deklaratat dhe në veprimet e Shteteve të Bashkuara brenda dhe jashtë vendit.
Zonja Klinton tha se administrata amerikane po ndërmerr hapa agresivë për të venë përpara përgjegjësisë të gjithë ata që, siç tha ajo, vodhën këtë informacion. Ajo tha se kishte dhënë udhëzime që në Departamentin e Shtetit të ndërmerren masa konkrete, përveç atyre në Departamentin e Mbrojtjes, për të mbrojtur informacionin që incidente të tilla të mos përsëriten. Puna e diplomatëve amerikanë, tha zonja Klinton, nuk i shërben vetëm Amerikës, por edhe miliarda njerëzve të tjerë kudo në botë. Çdo vend, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, tha ajo, duhet të jetë në gjendje të zhvillojë biseda të sinqerta lidhur me njerëzit dhe vendet me të cilat ata bashkëveprojnë, si dhe të zhvillojë dialogë privatë me vendet e tjera për çështjet e interesit të përbashkët.
Të njëjtin mesazh përcolli edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, i cili dje, në një konferencë para mediave, tha se “po zhvillohet një hetim kriminal lidhur me vjedhjen dhe publikimin e dosjeve sekrete. “Ne po shohim një sërë çështjesh dhe nuk mund të diskutoj më shumë tani”, - pohoi para gazetarëve. Ai shtoi se këto dokumente, beson nuk do të kenë ndikim në aftësitë e SHBA-ve për të çuar përpara marrëdhëniet ndërkombëtare.
Themeluesi i faqes “WikiLeaks”, Xhulian Asanzh, në një telekonferencë për gazetarët në Jordani, kritikoi administratën “Obama” për masat ligjore kundër personave që nxjerrin dokumente qeveritare.

DOKUMENTI SEKRET PËR ZGJERIMIN E NATO-s
Korrupsioni, kushtëzimi francez për Shqipërinë

Më 16 janar 2008, Jozef Wood, zëvendësasistenti i zëvendëspresidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, u takua me Filip Errera, këshilltar për çështjet strategjike të ministrit të Jashtëm, Kushner dhe Francois Richier, këshilltar për çështjet strategjike i presidentit Sarkozi. Errera dhe Richier dhanë pikëpamjet e tyre për NATO-n, ESDP-në, Rusinë, Iranin dhe zgjerimin e NATO-s. Më poshtë është përkthyer pjesa që flet për zgjerimin e NATO-s me vendet kandidate të Adriatik 3, ku tregohet edhe kushtëzimi francez për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dokumenti i mëposhtëm është klasifikuar si konfidencial.

Errera tha se Franca është e qetë në parim me secilin nga 3 kandidatët e Adriatik 3. Në veçanti Franca “nuk ka probleme me anëtarësimin e Kroacisë. Megjithatë, Errera tha se Shqipëria duhet të japë garanci për marrjen e pranimit dhe ka nevojë për të bërë më shumë përpjekje për t’u pastruar nga çështjet e korrupsionit. Në lidhje me Maqedoninë, Errera tha se GOM nënvlerëson seriozitetin e çështjes së emrit për Greqinë dhe se SHBA nuk duhet të bëjnë të njëjtin gabim. Franca nuk do të bëjë presion mbi Greqinë për këtë çështje. Për më tepër, nëse Athina do të lëshojë për çështjen e emrin, mund të bjerë qeveria, duke çuar kështu në një qeveri të re, e cila do të jetë përgjegjëse, - me sa duket për këtë armiqësi, - për progresin e ratifikimit të zgjerimit të NATO-s”.

Koretë, në qendër të dokumenteve të nxjerra dje nga WikiLeaks

Gjatë ditës së djeshme, WikiLeaks vijoi me publikimin e dhjetëra informacioneve të tjera, pjesë e dokumentacionit të komunikimit sekret mes ambasadave dhe DASH-it. Pjesa më e madhe e tyre u kushtohen problemeve mes dy Koreve, alarmet, reagimet e fqinjëve dhe pranimin kinez për një bashkim mes Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut në një periudhë afatgjatë, apo mospëlqimin e Pekinit për regjimin e Kim Jong-ut. Në morinë e informacioneve ka të dhëna edhe për gjendjen në vendin komunist dhe parashikimin e zhvillimeve të mëtejshme. Në këto dokumente ka informacione të sakta edhe për vizitën e Bill Klintonit në Korenë e Veriut dhe takimet me autoritetet në kohën që bëheshin bisedimet 6-palëshe për çarmatimin bërthamor. Sikur të mos ndodhte konflikti i tanishëm, këto dokumente flasin qartë për informacionet e sakta që merrnin shërbimet diplomatike amerikane. Po ashtu, ka informacione edhe për udhëheqjen e Kazakistanit, mënyrën e jetesës së udhëheqësve kazakë, për udhëheqësin afrikan Mandela etj.

30 Nentor 2010

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›