E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, “lufta” Berluskoni-Fini, kryeministri pranë krizës qeveritare



Xhanfranko Fini, kryetar i Parlamentit italian, i ka bërë thirrje ish-aleatit të tij, kryeministrit Silvio Berluskoni që të japë dorëheqjen. Në këtë mënyrë, e ardhmja politike e Silvio Berluskonit duket se është në rrezik. Ndërkohë kryeministri italian shprehet: “Më mirë të mos i lexoni më gazetat. Stilin e jetës sime nuk kam për ta ndryshuar kurrë”. Ky ishte reagimi sfidues i Berluskonit ndaj kritikës për aferën e tij të fundit me një prostitutë. Në televizion rrallë dëgjohen tone kritike ndaj Berluskonit, sepse stacionet private i përkasin atij dhe televizionin publik ai e dominon politikisht si punëdhënësi më i lartë. Deri tani, 74-vjeçari, sipërmarrës i mediave dhe prej një kohe të gjatë kryeministër ka qenë i sigurt se votuesit e tij besnikë mbajnë anën e tij, sidomos gratë shtëpiake dhe burrat me nivel të ulët arsimor. Por, kryetarin e parlamentit, Xhanfranko Finin, nuk e shqetëson aq shumë jeta private e Berluskonit, sesa politikat e ndjekura prej tij. Aleati i dikurshëm i Berluskonit është prishur që në verë me idhullin e tij dhe është larguar nga grupi parlamentar i qeverisë në parlament. Me lëvizjen e tij Fini, ai përpiqet tani, të rrëzojë Berluskonin. Në një tubim të lëvizjes së tij Fini kërkoi para 10 000 përkrahësve dorëheqjen e kryeministrit, në qoftë se ky nuk ndërron politikat ekonomike. Ekonomia italiane nuk lëviz nga vendi dhe borxhet e shtetit shtohen. Prej vitesh Berluskoni bën shumë premtime, por zbaton shumë pak në politikë praktike, pohon Fini. Gazeta ditore torineze “La Stampa” përmbledh në titull atmosferën në Itali: "Kriza qeveritare është hapur!" do të ketë edhe një luftë të fundit të fortë në mes rivalëve konservatorë Berluskoni dhe Fini, shkruante gazeta milaneze “Corriere della Sera”.

10 Nentor 2010

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›