SHBA-të nisën drejt Koresë së Jugut një aeroplanmbajtëse
Shtetet e Bashkuara janë mobilizuar pas sulmit të Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut dhe do të nisin një aeroplanmbajtëse në gadishullin korean. Lajmi bëhet i ditur nga nga agjencia e shtypit “Yonhap” duke cituar ministrin koreanojugor të Mbrojtjes. Aeroplanmbajtësja “George Washington”, që do të transportojë 75 avionë luftarakë dhe një ekuipazh prej 6 mijë personash, ka lënë bazën detare amerikane në Yokosuka, në jug të Tokios.
Koreve, SHBA dërgon aeroplanmbajtëse. Koreja e Veriut vazhdon të kërcënojë Korenë e Jugut, duke u shprehur se “artileria akoma nuk ka pushuar nga manovrat”. “Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që na kanë dënuar po e bëjnë këtë pa ditur dinamikën e ngjarjeve”, u tha në lajmërimin e lexuar në radion e Shtetit të Koresë së Veriut.
Tensionimi
Situata mes dy Koreve është tensionuar më tepër kur janë gjendur edhe dy trupa të pajetë civilësh në ishullin koreano-jugor të Jeonpjeongut, i cili u bombardua dy ditë më parë. Nga sulmi në fjalë dy ushtarë koreano-jugorë humbën gjithashtu jetën dhe shumë të tjerë u plagosën pasi predhat e artilerisë goditën edhe bazën e tyre ushtarake. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun e ka vlerësuar sulmin si “ngjarjen më të rëndë” që prej luftës koreane.
SHBA
Presidenti amerikan Barak Obama ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë krah për krah me Korenë e Jugut.
Obama i ka deklaruar homologut të tij koreanojugor se Shtëpia e Bardhë e cilësoi incidentin në ishullin Jeonpeong si revoltues, por theksoi se kërkon zgjidhje diplomatike e jo ushtarake të problemit. Zyrtarët amerikanë po punojnë intensivisht që incidentin ushtarak të së martës ta kthejnë në problem diplomatik mes dy Koreve. Si hap i parë është rritja e presionit amerikan ndaj Kinës. Kina ka mundësi ta detyrojë Penianin të përmbahet nga sjelljet agresive, siç ishte rasti i fundit. Kina është mbështetësi i vetëm i shtetit komunist dhe furnizuesi kryesor i tij me ushqime, armë dhe shumëçka tjetër. Pekini zyrtar është përmbajtur nga bërja publike e kritikave për Penianin pas incidentit me Korenë e Jugut, ndërsa mediat kineze kanë pasur tendencën për të pranuar variantin verikorean të rrjedhës së ngjarjeve. Uashingtoni zyrtar synon në hartimin e një strategjie afatgjatë, ku do të përfshiheshin partnerët që aktualisht janë pjesë e bisedimeve gjashtëpalëshe për çmilitarizimin bërthamor të regjimit komunist.
BOX
Shkencëtarët vlerësojnë arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut
Vëzhguesit e Koresë së Veriut në Perëndim janë të habitur pas njoftimeve të shkencëtarëve se aftësitë bërthamore të Penianit janë përmirësuar me shpejtësi që nga hera e fundit kur atje u lejuan ekspertë perëndimorë. Siegfried Heker, ish-drejtor i Laboratorit kërkimor Los Alamos, institut i sigurisë kombëtare amerikane, tregon habinë e tij kur pa 2000 centrifuga në një objekt modern të pasurimit të uraniumit. "Mbeta i shtangur kur pashë qindra centrifuga në një objekt të pastër dhe modern. Thashë me vete se ata kishin arritur të bënin atë që kishin thënë se do të bënin”. Heker nuk u lejua të bënte fotografi të objektit, për të cilin thotë se është ende larg nga prodhimi i bombës bërthamore. “Për të arritur deri te bomba me hidrogjen, është një rrugë tepër e gjatë”,- thotë shkencëtari. Ai mendon se Koreja e Veriut mund të jetë ndihmuar gjatë shumë viteve nga agjentë të Pakistanit për të fituar aftësi bërthamore. Një proces i sofistikuar prokurimesh e ka lejuar Penianin t’u shmanget sanksioneve për të blerë alumin, madje edhe nga Gjermania dhe Rusia.
Vëzhguesit në Kosovë korrigjojnë rezultatin, LDK-ja në balotazh me AAK-në
Koalicioni i vëzhguesve “Demokracia në Veprim” ka evidentuar se në zgjedhjet në Rahovec, janë bërë gabime në dy vendvotime, që kanë qenë bazë kontesti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kjo ndodhur pas kontestimit nga AAK-ja të rezultatit të zgjedhjeve të së dielës në Rahovec, ku kjo parti pretendon se i janë zhdukur rreth 450 vota. Rezultatet e shpallura nga ky koalicion e nxjerrin Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në vendin e dytë, krahasuar me rezultatet e mëparshme ku ajo renditej e treta. Sipas Demokracisë në Veprim, numri më i madh i votave në zgjedhjet e së dielës i ka shkuar LDK-së, 27.8 për qind, pasuar nga AAK-ja me 26.8 për qind të votave dhe e treta renditet PDK-ja me 26.6 për qind të votave. Vëzhguesit vendorë kanë kërkuar falje për atë që e kanë quajtur “gabim teknik” në numërimin e votave.
Kroaci
Vizitë dyditore e presidentit serb Tadiç
Presidenti i Serbisë Tadiç gjendet për vizitë dyditore në Kroaci, ku një prej temave kryesore, ishte bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve. Serbia edhe më tej ka një bilanc negativ në shkëmbimin e mallrave me Kroacinë. Më shumë se 200 sipërmarrje kroate gjenden në tregun e Serbisë, ndërkohë që në Kroaci ka vetëm pak më shumë se dhjetë përfaqësi të sipërmarrjeve serbe. Dragolub Rajiç nga Unioni i punëdhënësve të Serbisë thotë se qeveria serbe nuk ka bërë shumë për depërtimin e mallrave serbe në Kroaci. Vetë vizita e presidentit Tadiç në Kroaci kushtuar kësaj çështjeje tregon se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur.
Zelandë e Re
Vdesin nga shpërthimi 29 minatorët e bllokuar
29 minatorët e bllokuar në një minierë qymyri të Zelandës së Re që prej pesë ditësh, janë shpallur të vdekur. Policia njoftoi dje për një shpërthim të dytë në minierën në Grejmauth në South Island, fuqia e të cilit nuk lë shpresë për të mbijetuar. Kryeministri i Zelandës së Re, Xhon Kej, që i kishte paralajmëruar bashkatdhetarët për më të keqen, tha se vendi i tij ishte në zi. Kej tha se do të zhvillohet një hetim i plotë për shkaqet e shpërthimit me qëllim që tragjedi të tilla të mos përsëriten. Veç zelandezëve, mes viktimave ka edhe shtetas australianë dhe dy britanikë.
Irlandë
Shpall planin e kursimit për katër vitet e ardhshme
Irlanda shpalli masat më të ashpra buxhetore në histori në planin e saj katërvjeçar, gjatë të cilës kohë pritet të kursehen 20 miliardë dollarë. Plani ka për qëllim që të shkurtojë 10 miliardë euro nga shpenzimet dhe të rrisë 5 miliardë në taksat shtesë në mënyrë që të luftojë deficitin më të keq europian. Ky plan është si parakusht që Irlandës t’i jepet kredia nga BE dhe FMN-ja, që kap shumën prej 85 miliardë euro. Bashkimi Europian dhe FMN-ja çuan në Irlandë një grup ekpertësh, të cilët vlerësuan situatën e bankave dhe të tregut.
Përgatiti: Blerina Olldashi
25 Nentor 2010