E Shtunë, 31 Tetor 2026

WikiLeaks, avokati i Asanzh përgjënjeshtron negocimin



Një ditë pasi deklaroi se nuk do të dorëzohej, “The Times” publikoi një lajm, sipas të cilit themeluesi i faqes së internetit WikiLeaks, Julian Asanzh, po negocion për t’u dorëzuar. Avokati i Asanzh, Mark Stivens, përgënjeshtron lajmin e “The Times”, sipas së cilit klienti i tij është duke negociuar dorëzimin me Scotland Yard, për mandat-arrestin për krime seksuale të nxjerrë nga Suedia. “Ka ardhur një mandat-arresti 10 ditë më parë dhe e ktheva mbrapa pasi ishte përpiluar keq. Ka ardhur një tjetër dje”, është shprehur Stivens. “Nëse e shikoj se mandat-arresti është i bazuar do të shkojmë në gjyq, ndryshe do të denoncoj gjykatën”, shtoi ai. Ndërkohë Uashingtoni vazhdon të dënojë publikimin e letërkëmbimeve të fshehta nga Wikileaks. Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, është shprehur e bindur se dokumentet e reja të publikuara nga Asanzh nuk pengojnë punën e diplomacise amerikane. Sipas Klinton, ajo çfarë treguan mesazhet e përfunduara online, nuk ishte gjë tjetër veçse dëshmi e faktit që diplomatët po bënin punën e tyre. Klinton rrëfen se po punon shumë fort për rivendosjen e besimit të thyer nga rrjedhja e informacioneve online dhe marrëdhëniet që rrezikojnë të dëmtohen prej tyre. Shumë vende ngrenë pyetje që kërkojnë përgjigje prej saj, por edhe e kuptojnë se diplomacia amerikane duhet të vazhdojë punën e saj. E pyetur nëse presidentit Obama i është dashur të telefonojë ndonjë president tjetër për të ofruar sqarime, Klinton u përgjigj se nuk ishte e sigurt, ndonëse ai vetë kishte bërë rekomandime të tilla. Dokumentet më të fundit kompromentuese që Ëikileaks hodhi në internet, zbulonin mendimin e diplomatëve amerikanë për ish-kryeministrin britanik Gordon Braun. Ish-kreu i qeverisë së këtij vendi aleat përshkruhej si njeri që kalonte nga një katastrofë politike në tjetrën, si një lider që bënte një punë shumë të dobët. Në mesazhet e të dërguarve amerikanë thuhej se pas largimit të Toni Blerit, Britania kishte mbetur pa udhëheqje, pasi Braun shihej prej tyre me përçmim.

Zanieri, emërohet person raportues i OKB-së në dialogun me Beogradin

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri, ka thënë se me vendim të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Mun, ai së bashku me shefin e zyrës së OKB-së në Beograd, Endrju Gilmor është emëruar person kontaktues i OKB-së në dialogun Beograd-Prishtinë. “Formalisht, sekretari i përgjithshëm gjatë shkëmbimit të letrave me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kethrin Ashton, më ka emëruar si person kontaktues, së bashku me shefin e zyrës së OKB-së në Beograd Endrju Glimor”, citohet të ketë thënë Zanieri për gazetën serbe “Politika”. Në përputhje më këtë, ne i kemi treguar BE-së për problemet që ne konsiderojmë se duhet të kapërcehen përmes dialogut“, ka thënë ai.

Spanjë
Rikthehet normaliteti në hapësirën ajrore, pas 48 orësh

Hapësira ajrore e Spanjës është hapur pasi kontrollorët e trafikut ajror kishin paralizuar fluturimet në mbarë vendin, duke bllokuar mijëra udhëtarë nëpër aeroporte. Qeveria më herët u drejtoi paralajmërime për të nisur procese ligjore kundër tyre nëse nuk do të riktheheshin në punë. Zëvendëskryeministri i Spanjës, Alfredo Perez Rubalkaba, duke folur pas një takimi urgjent të qeverisë, tha se deklarata nënkupton se kontrollorët duhet të kthehen në punë, ose rrezikojnë të akuzohen për mosbindje ndaj ligjit dhe të përballen me burgim të mundshëm.

Kore e Jugut
Paralajmëron Veriun: Do t’u kundërpërgjigjemi sulmeve

Ministri i ri i Mbrojtjes të Koresë së Jugut, gjenerali Kim Kuan Jin ka paralajmëruar Korenë e Veriut se në rast sulmesh të tjera ushtarake, vendi i tij do të kundërpërgjigjet me sulme ajrore. Vetëm një ditë pas emërimit të tij në këtë post, Kuan Jin, në fjalën e tij përuruese, theksoi se nëse Peniani do të guxojë të sulmojë, atëherë Seuli do të jetë i detyruar të sulmojë, derisa Koreja e Veriut të dorëzohet dhe të mos provokojë. Shtetet e Bashkuara thonë se Koreja e Veriut mund të jetë duke shfrytëzuar objekte bërthamore për qëllime ushtarake, pas bërjes publik të informacionit për ndërtimin e një centrali për pasurimin e uraniumit.

SHBA
Presidenti Obama zhvillon një vizitë 4-orëshe në Afganistan

Presidenti amerikan, Barak Obama, gjatë vizitës së tij në Afganistan, u tha trupave amerikane se ata janë duke bërë përparim kundër talebanëve dhe se Afganistani nuk do të bëhet përsëri strehë e sigurt e terroristëve. Gjatë një vizite të panjoftuar në bazën ajrore të Bagramit në periferi të kryeqytetit afgan, Kabul, presidenti Obama u tha mijëra trupave se ata po ndalin përparimin e talebanëve dhe do të jenë të suksesshëm në misionin e tyre. Presidenti Obama gjithashtu falënderoi forcat e koalicionit për shërbimin e tyre të jashtëzakonshëm në konfliktin mbi 9 vjeçar dhe për sakrificën që ata bëjnë duke shërbyer larg atdheut të tyre.

6 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›