E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali/ Një viktimë e tërmetit i kërkon Berlusconit të jetojë në shtëpinë e tij

Një burrë i mbetur pa shtëpi nga tërmeti i 6 prillit në Abruco, në Italinë Qendrore i ka kërkuar kryeministrit Silvio Berluskoni të mbajë premtimin e tij dhe t'i strehojë viktimat në ndonjë nga banesat e tij. Antonio Bernardini, shtëpia e të cilit në qytetin malor të Akuilas u shkatërrua, i shkruajti agjencisë italiane të Mbrojtjes Civile, ku shprehej se dëshironte të strehohej në vilën luksoze të Berluskonit buzë detit në Sardenjë ose në shtëpinë e tij në qendër të Romës nëse ishte e mundur. "Ky nuk është një provokim, por një kërkesë legjitime e bazuar në deklaratat e kryeministrit", tha Bernardini. Mijëra njerëz që mbetën pa shtëpi nga tërmeti i 6 prillit jetojnë ende nëpër hotele ose nëpër çadra. Bernardini tha se shumë prej tyre shfrytëzohen nga pronarët e paskrupullt të hoteleve dhe ndihen pothuajse si emigrantë ilegalë. "E ndjejmë veten në kushte inferioriteti", tha Bernardini, nëna plakë e të cilit vdiq pikërisht një muaj pasi e kishin nxjerrë nga rrënojat e shtëpisë së saj. "Unë jetoj një dhomë të vogël hoteli larg qytetit tim të lindjes. Na jep një shenjë konkrete. Nëse jo mua, atëherë merrni ndonjë viktimë tjetër", i kërkoi ai kryeministrit. Gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit pas tërmetit, Berluskoni u bëri thirrje italianëve të merrnin viktima të tërmetit në shtëpitë e tyre dhe tha: "Edhe unë do të bëj ç'të mundem duke ofruar shtëpitë e mia". Ai premtoi se do ta rindërtonte Akuilan brenda 28 muajve dhe do t'u jepte viktimave shtëpi të reja.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›