E Diel, 1 Nëntor 2026

Virusi A/H1N1, infektohet presidenti i Ekuadorit

Gripi i derrave po përhapet me një shpejtësi të madhe në Amerikën Latine, aq sa edhe dy presidentë janë prekur nga virusi A/H1N1. Pas presidentit të Kosta Rikës, Oscar Arias që u prek përpara disa ditësh, me virusin është infektuar edhe presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa. Correa i është nënshtruar mbikqyrjes së mjekëve. Presidenti, i cili sapo ka marrë mandatin e dytë në këtë post, nuk është i detyruar që të qëndrojë i izoluar, në dallim nga homologu i tij i Kosta Rikës, që gjithësesi është në rrugën e shërimit. Katër vendet e para në botë me numrin më të madh të të prekurve me virusin A/H1N1 janë të gjitha amerikane. Nga të dhënat e fundit, rezultojnë më shumë se 436 të vdekur në SHBA, 404 në Argjentinë, mbi 200 në Brazil dhe të paktën 180 në Meksikë. Në të gjithë botën të infektuarit me gripin e derrave janë më shumë se 230 mijë, nga të cilët rreth 1 900 kanë humbur jetën. Ndërkohë që rastet e konfirmuara në Europë shkojnë në 35 mijë e 860, nga të cilët 55 kanë vdekur. Vetëm në 24 orët e fundit, kanë qenë 835 raste të reja me gripin e derrave, nga të cilët 503 në Gjermani dhe 149 në Portugali. Sipas Ministrisë britanike të Shëndetësisë nuk ka sinjale që tregojnë se gripi po ndryshon, nuk po bëhet më i rrezikshëm dhe nuk po tregon rezistencë ndaj medikamenteve anti-virale. Ndërkohë që ministrat e Shëndetësisë së vendeve të G7-ës dhe ai i Meksikës do të mblidhen më 11 shtator në Bruksel për të diskutuar mbi evolimin e pandemisë. Komisioneri europian për Shëndetësinë, Andrulla Vasiliou, do të prezantojë më 16 shtator aksionet që do të ndërmmerren kundër pandemisë së gripit të derrave. Dokumenti do të diskutohet nga ministrat e Shëndetësisë, në vazhdën e një mbledhjeje të jashtëzakonshme që do të mbahet në fillim të tetorit në Luksemburg.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›