Itali; Operacioni “Durrës”, në pranga tre shqiptarë
Policia italiane arrestoi tre shqiptarë dhe sekuestroi një sasi droge ditën e djeshme në Montecatini. Pas një hetimi disamujor, karabinierët italianë organizuan operacionin e koduar “Durrësi”, ku vunë në pranga përveç shqiptarëve edhe një shpërndarës italian dhe një rumun. Sipas hetuesve italianë, droga shitej tek persona të cilët ishin frekuentues të rregullt të jetës së natës në qytet. Sipas mediave italiane, muajt e kaluar u vunë në pranga edhe dy shqiptarë të tjerë. Ata janë pjesë e grupit, i cili merrej me transportin dhe më pas shitjen e drogës. Gjatë ndalimit të italianit dhe shqiptarëve u bllokuan edhe 100 gramë kokainë, e cila do t’u shitej “klientëve, frekuentues të jetës së natës”. Nga hetimet e kryera, italiani i arrestuar bënte nëpërmjet telefonit porosinë e drogës nga shqiptarët. Droga transportohej nga Shqipëria nëpërmjet Durrësit dhe sipas mediave italiane, ky është vendi i origjinës së shqiptarëve të arrestuar. Ndërkohë që në kërkim është shpallur një tjetër shqiptar, i cili mendohet se është larguar drejt Shqipërisë.