E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kamioni i jetës”, 2 mijë pacientë, ekzaminime shëndetësore falas



Një klinikë mjekësore në lëvizje do të endet në disa qytete të vendit, duke kryer ekzaminime shëndetësore falas për rreth 2 mijë persona të moshave 18–45vjec. “Kamioni i jetës” sillet për herë të parë në Shqipëri nga kompania më e madhe e sigurimeve në vend, Sigal Uniqa Group Austria, në vitin e dytë të hedhjes në treg të produkteve të sigurimit privat të shëndetit. I konceptuar si një klinikë mjekësore e lëvizshme, ky kamion do të mundësojë ekzaminimin dhe diagnostifikimin falas të gjendjes shëndetësore. “Kamionin e jetës” e vizitoi dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili tha se bashkëpunimi mes sipërmarrjeve private dhe sektorit shtetëror duhet të jetë më i gjerë. Vasili: “Kjo është një zgjidhje inteligjente e Sigalit, e cila ka ndërthurur bashkëpunimin mes dy sektorëve”. Ndërkohë që në lidhje me aktivitetin “VitalTruck Tour”, z. Avni Ponari, drejtor i Përgjithshëm i Sigal Uniqa Group Austria, u shpreh: “Ky aktivitet është pjesë e përkujdesjes dhe vizionit të kompanisë në drejtim të mirëqenies së klientëve të saj dhe në emër të një shëndeti më të mirë. Nëpërmjet organizimit të këtij aktiviteti, synimi ynë është që popullsia të ndërgjegjësohet për rëndësinë absolute të kontrolleve të vazhdueshme shëndetësore përmes të cilave shmanget diagnostikimi i vonshëm i sëmundjeve. Tashmë njerëzit duhet të drejtohen edhe tek mjeku i familjes”. Duke u ndalur në një prej problemeve kryesore të spitaleve sot në Shqipëri, siç është mbingarkesa, z. Vasili cilësoi sjelljen e klinikës në Shqipëri si “... një zgjedhje inteligjente, pasi përmes kontrolleve parandaluese synohet të ulet mbingarkesa e qendrave spitalore në vend”. Gjithashtu, të pranishëm në aktivitetin e sotëm ishin anëtarët e Bordit Menaxhues të Uniqa Group Austria si mbështetësit kryesorë të aktivitetit dhe turneut të klinikës nëpër Shqipëri si dhe premtuan mbështetjen e tyre edhe në të ardhmen për aktivitete të tilla të ngjashme që synojnë një shëndet më të mirë. Janë rreth 7 lloje ekzaminimesh të cilat do të mundësohen në klinikën e lëvizshme. “Kamioni i jetës” do të kalojë në disa nga qytetet kryesore të vendit, ku parashikohet të kryhet ekzaminimi i 2000 pacientëve të moshave 18 deri 45 vjeç. Ekzaminime të tilla vënë theksin në domosdoshmërinë e kontrollit periodik të gjendjes shëndetësore për parandalimin e përkeqësimit të shëndetit dhe diagnostikimin e sëmundjeve në fazën fillestare i cili mundëson trajtimin më efektiv të tyre.

Ekzaminimet:

EKG qetësie (elektrokardiograme) - Vicardio, është një pajisje që mat frekuencën e zemrës dhe identifikon ndryshimet e mundshme të ritmit

Kontroll kardiovaskular - Kapaciteti i sistemit kardiovaskular vlerësohet nëpërmjet nivelit të rezistencës së arritur në cikloergometër (biçikletë), për të përcaktuar edhe frekuencën kardiake ideale për trajnimin tuaj

Matja e shtresës dhjamore të trupit - Matja ekzakte e indeksit të dhjamit trupor bëhet përmes një aparature me rreze infra të kuqe

Testi i lëvizshmërisë, i cili identifikon kufizimet e lëvizshmërisë dhe kontraksionet muskulore të mundshme

Koordinimi dhe balanca - Me këtë test ekzaminohen aftësitë e lëvizjes si edhe aftësitë stabilizuese të artikulacioneve të gjunjëve dhe legenit

Fuqia - Fuqia shtytëse e muskujve të ndryshëm të trupit ekzaminohet objektivisht mes një analizë izometrike të kompjuterizuar

Qëndrimi i trupit/ Shtylla kurrizore - Pajisja ekzaminon formën dhe lëvizshmërinë e vertebrave të shtyllës kurrizore në pozicione të ndryshme të trupit

OBSH

Virusi nuk ka pësuar mutacion

Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se virusi i gripit A nuk ka pësuar mutacion, ndërsa konfirmon se po vazhdon prodhimi i vaksinave kundër tij. “Vaksinat e prodhuara deri tani për virusin A/H1N1 janë efikase”, - tha Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan, në ceremoninë e hapjes së takimit të përvitshëm të organizatës që zhvillohet në Hong Kong. “Virusi mund të pësojë ndryshime çdo moment, por nga prilli deri më sot ajo që është vëmë re nga të dhënat që na vijnë nga laboratorët e gjithë botës, është që virusi është ende i ngjashëm (me versionin fillestar)”, - shpjegoi Chan. Kreu i OBSH-së përsëriti se të moshuarit, obezët apo ata persona që vuajnë tashmë nga një sëmundje në progres, mund të goditen rëndë nga sëmundja e gripit të derrit.

Britani e Madhe

A/H1N1 shkaktoi numrin më të madh të viktimave

Britania e Madhe vazhdon të mbajë vendin e parë të viktimave të shkaktuara nga virusi A/H1N1 në Evropë. Në vendin ishullor kanë humbur jetën 78 persona nga 157 në total, çka do të thotë më shumë se gjysma. Të dhënat janë deri në datën 18 shtator dhe nuk përfshijnë vdekjet e 3 ditëve të fundit. Në Spanjë numri i viktimave është 32, në France 5 dhe më pas vijnë Holanda me 4, Malta, Norvegjia e Greqia me nga 3, ndërsa Belgjika, Hungaria, Luksemburgu dhe Italia me nga një viktimë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›