E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali/ Shumica e studentëve janë shqiptarë

Shumica e studentëve të huaj që ndjekin studimet në Itali janë shqiptarë. Sipas një studimi të kryer kohët e fundit, në Itali shumica e studentëve janë të huaj dhe jo vendas. Pjesa dërrmuese e të rinjve që kanë dëshirë të jenë pjesë e auditorëve italianë janë nga Shqipëria, ndërkohë që numri i studentëve që largohen nga Shqipëria në vendin fqinj me kalimin e viteve po rritet edhe më shumë. Universitetet italiane po tërheqin një numër në rritje studentësh të huaj, në pikën që numri i tyre e ka tejkaluar tashmë atë të studentëve italianë që shkojnë për të studiuar jashtë, sipas rezultateve të një studimi të botuar dje në mediat italiane.

Studentët e huaj

Nga 2004 në 2006 numri i studentëve të huaj që kanë shkuar të formohen në Itali është rritur me 20 për qind. Kjo duke kaluar nga 40 mijë në 48 mijë të rinj. Shqipëria me 8500 studentë të regjistruar siguron edhe numrin më të madh të studentëve të huaj.

Numri i tyre është dhjetë herë më i lartë se ai i studentëve francezë dhe njëzet herë më i lartë se i atyre spanjollë. Sipas studimit, një nga pengesat për pritjen e studentëve të huaj është gjuha, por studentët kritikojnë gjithashtu burokracinë. Një pjesë e mirë e studentëve shqiptarë, të cilët janë me rezultate të mira, kanë fituar bursa studimi apo gjysmë bursa. Pjesa më e madhe e studentëve që fitojnë bursa të plota janë në vitin e parë të shkollës. Nga të anketuarit, 60 për qind e të rinjve ka raportuar se faktor për pengesën e studimeve mbetet burokracia. Rreth 32 për qind e pjesëmarrësve në sondazh kanë qenë të mendimit se një tjetër faktor që mban një pjesë të studentëve jashtë auditorëve italianë është sistemi i provimit, i cili është vlerësuar si diskriminues për të huajt.

Numri i të huajve e ka kaluar tashmë me 8500 atë të italianëve që shkojnë për t‘u formuar jashtë gadishullit.

Studimi

Me 48000 studentë të huaj, Italia mbetet megjithatë tepër larg Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës apo Spanjës për nga numri i studentëve të huaj që shkojnë të frekuentojnë universitetet e tyre. Studentët e huaj në Itali mund të kryejnë çdo lloj pune, qoftë edhe rastësore në përpjekjet e tyre për të përballuar jetesën. E rëndësishme është të mos tejkalohen më shumë se 1040 orë në vit, përndryshe është e domosdoshme që të konvertohet leja e qëndrimit për motive studentore. Gjithçka lidhur me orët e punës dhe kushtet, sqarohet në një qarkore që Ministria e Brendshme ua ka përcjellë të gjitha prefekturave.

Sipas rregullave, studentët, duhet të respektojnë orarin e 20 orëve pune javore maksimale, qoftë edhe duke i mbledhur 52 javët në një kufi maksimal të 1040 orë pune në vit, të cilat janë edhe piketat e vendosura nga ligji mbi emigrimin.

Studentët, të cilët nuk kanë mundësi financiare për të përballuar të gjitha shpenzimet e jetesës, si pasojë e kushteve të vështira ekonomike në familje, punojnë për të paguar të gjitha kërkesat, për ushqim, veshmbathje, komunikim apo argëtim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›