Itali: Udhëheqësit e Tetëshes, keqardhje për dhunën në Iran

Udhëheqësit e tetë vendeve më të industrializuara të botës që janë mbledhur në L'Akuila të Italisë shprehën keqardhje për dhunën e përgjakshme pas zgjedhjeve në Iran dhe i quajtën të papranueshme arrestimet e gazetarëve.
Sipas zyrtarëve amerikanë, udhëheqësit e G-8-s bënë mbrëmë një deklaratë të fuqishme dhe të rëndësishme lidhur me Iranin pas një darke pune.
Zyrtarët thanë se udhëheqësit po humbasin durimin ndaj refuzimit të Iranit për të plotësuar detyrimet e tij ndërkombëtare dhe për të hequr dorë nga programi i armëve bërthamore për të cilin dyshohet.
Udhëheqësit nuk bënë dje ndonjë kërcënim për sanksione të reja. Presidenti francez Nikola Sarkozi tha se të tetë udhëheqësit ranë dakord t'u japin negociatave me Iranin një shans deri në shtator kur të zhvillohet një samit tjetër i madh.
Deklarata i kërkon gjithashtu Iranit të lejojë që punonjësit e ambasadave të huaja të punojnë pa pengesa dhe dënon mohimin e Holokaustit nga Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad.
Në deklaratë dënohet gjithashtu programi i armëve bërthamore i Koresë së Veriut si dhe provat e saj bërthamore. Udhëheqësit njëkohësisht shprehën mbështetjen e tyre ndaj luftës së Pakistanit kundër terrorizmit.
Zyrtarët amerikanë njoftuan po dje se Presidenti Obama do të jetë mikpritës i një samiti për çështjet bërthamore në muajin mars të vitit të ardhshëm. Ata thanë se Presidenti nuk dëshiron të presë të ndodhë një akt terrorizmi bërthamor dhe se materiale të tilla të rrezikshme duhet të sigurohen mirë dhe të shkatërrohet tregu i zi ku ato shiten e blihen.
Ndërkohë, udhëheqësit e tetë vendeve më të industrializuara njoftohet se kanë bërë përparim në përpjekjet për të luftuar ngrohjen globale.
Udhëheqësit ranë dakord të vendosin një objektiv për shkurtimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë me 80 përqind për vendet e industrializuara deri në vitin 2050.
Para takimit, disa udhëheqës vizituan qytetin L'Akuila për të parë shkatërrimet e shkaktuara nga tërmeti i prillit i cili shkakt5oi vdekjen e pothuajse 300 njerëzve. //ii