“Njeriu pa cilësi”, sinteza e takimeve të Edi R, Ardian K dhe Enver Robellit

Ulrich, protagonisti i “Njeriu pa cilësi”, kthehet në qytetin e lindjes për të takuar shokët e fëmijërisë: Edi R., Ardian K., dhe Enver Robelli, të cilët nuk i shihte prej shumë kohësh, thuajse që në fillim të kapitullit të ri.
Takimi në Pezë: Në fshatin Pezë, 30 kilometra larg Tiranës shkoi me trompilin që i kishte blerë babai emigrant në Gjermani. Edi po e priste bashkë me shokun e orgjive të deleve, Dashin. Që të dy, me pantallona të shkurtra, me ngjyra fringo të reja nga Grenobli. Edin e gjeti shumë të tronditur d.m.th më shumë seç e kishte lënë. Kësaj here nuk kishte traumat e artistit që nuk kuptohej nga atelietë e Parisit, por ishin truamat paszgjedhore, të cilat e kishin futur në një depresion akut. Afër tij ishte Dashi, i cili në dorë mbante pakot e anti-depresivëve dopues dhe një broke ujë Erzeni. U ulën në një bythë ulliri për të bërë paqe me ndërgjegjen. Ulrichut Peza iu duk një vend i pashpresë, i papërshtatshëm për Edin, sidomos në atë kullë të heshtur që pas humbjes tragjikomike të Babë Myslymit: ky i fundit një kaçak ordiner kodrash mbas bregut. Krejt simptomat e depresionit ngjasonin po me të njëjtat e fëmijërisë, përpos se tani dallohej një ndryshim i ri, kësaj here ata ishin të gashtisura me paranojën e tradhtisë dhe rrethimit nga çdo anë. Paranoja të tilla dhe hipokondria e shfaqur së fundmi e kishin larguar nga qyteti. Pasi u panë në sy ngritën një dolli. Më të pirë gotën e rakisë 24 gradë i hipi në mendje ta pyeste: përse banonte në një fshat që mund konsiderohej si një nostalgjik i komunizmit? Nuk është politikisht korrekte. Dashi u hodh përpjetë dhe tha: çfarë të keqe ka të jesh komunist? Sytë e tij lëshonin xixa dhe ngjasonin me atë të djallit. Edi R ia preu shkurt: Nuk kam nostagji komunizmin, por Tirana... ti e di si është bërë, lemeri fare. E çimentuar nga çdo anë, pallate vend e pa vend, ku qoftë larg, një ambulancë nuk hyn dot për një të sëmurë, lëre pastaj kontrollet e tjera antisizmike. Bipolarizimi kishte bërë një efekt zhvetësimi. Nuk di si t’i them atij pronarit fierak të 2K. Më mban në pëllëmbë të dorës. Pastaj në Tiranë nuk jetoj dot, është shumë pluhur e baltë, gjol elbasani ka gjithandej. Na mbytën malokët e Bathores. Qarkullimi i makinave e bën trafikun të çmendet. Jam mirë këtu jashtë Tirane. Shikoj perëndimin e diellit pas asaj kodrës atje. Si duket, Varoshi me kalanë e tij aziatike riprodhonte efektet speciale. Ja kjo është vërteta. Lëre ç’thonë ata të tjerët.
Takimi në Gërdec: Pas Pezës ai u drejtua për nga fshati Gërdec, afër qytezës së Vorës, i famshëm për kërdinë që pati në njerëz dhe kredinë e pashlyer. Me befasinë e një fëmije aty pa disa forca xheniere me helmetë G-99 të komanduar nga Ardiani, i biri i Bilbili K, që po kërkonte provat e krimit të madh dhe arsyet e vogëla të humbjes së bastionit të nekropolitikës. Nuk ka mundësi, bërtiste i lemerisur. Vetëm në Shqipëri ndodhin paradokse të tilla, klithte po me rënkim. I bërë gjithë baltë, në ekstazë e sipër, pasi kishte gërmuar në kërkim jo të floririt të Zogut, por të fakteve që të konvalidonin teorinë e tij mbi superioritetin e Jugut mbi Veriun, ai u dha dorën xhenierëve e doli nga gropa e zezë ku ishte futur. Ulrichut s’i kishte pëlqyer asnjëherë kjo patologji logjike e Ardianit. Por si thonë, ndër shokë disa gjëra nuk thuhen me fjalë. Kur e pa aty brenda të futur dy metra nën tokë me
kontrastin e grillit jeshil i ngjante fiks me një eksplorues gjerman të vitit 1939, që gjurmonte faktet e supremacisë ariane në majat e malit K2, të Tibetit. I sapodalë prej andej – Ulrichut iu duk më i zbehtë, më i humbur se më parë. Nuk donte të besonte as të mendonte se formimi në Gjermani i Ardianit do ta kishte infektuar edhe me tezat e Meinkampfit. Jo, asnjeherë. Edhe pse ai rridhte nga një familje totalitare nuk është e thënë që kromozomet e diktaturës të riprodhoheshin prapë në të. Shkenca e ka provuar pavërtetësinë e kësaj teze. Pastaj nuk ka sesi njerëz gjenetikisht të modifikuar nga diktatura të kërkojnë lavdi më teza antidiçkaje – thoshte ai ndërvete. Paçka se dyshimi i vinte nga ajo fjala popullore që thotë: se nuk ka një pa dy. U përqafuan me mall. E pyeti mirë e mirë për situatën e krijuar në Pezë. Fati i Edit ishte për t’u hedhur fall në një filxhan kafeje turke, sikur përtypte në mendje. Kujtuan kohët kur ishin ahengxhinj të një partie popullore fetare ne vitet e para të demokracisë, bashkë me Takun. E kur shkruajtën gegërisht për vdekjen e Padër Zefit, duke u bërë gazi i botës, me dyfytyrësinë që i karakterizon unin e mbiunin. U shfajësuan duke hedhur në treg përvetësimin e një miqësie të kurrëlindur. Urichu e pat qortuar njeherë e mirë për përkthimin e “Skëndërbeu”-t të Schmidtit, një vepër historikisht mediokre, pasi kishte hasur shumë gabime interpretimi dhe devijime për qëllime që për të ishin të pakuptueshme. Nuk ishte një libër historik, ishte një roman historik, i bazuar në thrillerin e një fjale gojë më gojë, që një ambasador kishte dëgjuar nga një i dërguar i Skëndërbeut. Me pak fjalë karagjozloqe të denja për lexues të pashkolluar. Për drekë kishin prenotuar të restorant Vjena, afër selizë rozë. Gjatë rrugës benzi u ndal afër fshatit Domje. Duke drejtuar gishtin tregues Ardiani tha se atje jetojnë ata, barbarët veriorë, të cilëve injoranca u ishte bërë ferrë në ndërgjegje. Edi atje e humbi pushtetin. Ulrichu e shikonte me njëfarë frike. Tani kishte kuptuar se dy miqtë e tij të fëmijërisë përdornin të njëjtat tableta të bardha për sëmundje të ndryshme.
Takimi në Prishtinë: Ulrichut Shqipëria i la një shije të athët. Miqtë e tij delirues në maksimum po kuroheshin me ilaçe të gabuara. Do të ishte mirë të kuptonin me përultësi karakterin e njeriut dhe pastaj të bënin lectio magistralis në shekullin e tyre, thoshte ai ndërvete. Nejse, avioni u ul në aeroportin e Prishtinës. Aty do të takonte mikun i tij tanimë gazetar Enver R. që po e priste në hotel Grand. Simbolika e hotelit përfaqësonte mendjemadhësinë tipike që kanë gazetarët kosovarë kur flasin për punët e Shqipërisë. Nuk kishte pse Enveri mos të ishte atje. Gjatë udhëtimit për në hotel mendonte se emrat në përgjithësi brenda tyre sikur kanë edhe fatin e shkruar. Nuk e di pse, por emri Enver në përgjithësi sjell nganjëherë shkarje të sistemit limbik. Kuptohet vetiu se çfarë mund të ishte bërë në gazetari nëse kishte edhe mbiemrin Hoxha, për fat mbiemri i niste me R. Do të ishtë bërë një imam i medias kritike. Me postë elektronike ishin shkruar disa herë. Në ato letra kishte mësuar se Enveri ishte bërë një enfant prodige i rreziku, nganjëherë sillej si një Solomon i rimishëruar e ku çdo ditë stërvitej në qortimet e shoqërisë shqiptare. Kishte frikë. Ndoshta rreziku që sillte ky kryqëzim identitetesh do të dobësonte Kosovën e pavarur. Edhe pse ai vetë po sillte rrezikun me këtë apartheid kulturor ndër kosovarë. Veçse rreziku ishte periferik. Afërmendsh po të kishte pushtet dhe mundësitë intelektuale asgjësimi i mikrobit shqiptar në Kosovë do të ishte shfarosur më kohë, në kohën ditore. Modeli i Shqipërisë nuk i pëlqente, jo se ky model duhet marrë parasysh, por ky zelli i fjalëve bajate sikur fshihte njëfarë shenje inferioriteti ndaj kulturës ku ai punon, pra në Gjemani. Dhe dihet gjermanët janë shumë të sofistikuar në çmendurinë e tyre. Ndoshta duhet të marrim modelin gjerman. E mori në telefon. Enveri tani ishte spostuar në kufi në hotel “Amerika”. Në Kukës gjithçka mund të mungojë, por respekti për robin jo.
...