E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, dërgohen për gjykim dy të burgosur të Guantanamos

Lajmi bëhet i ditur nga autoritetet amerikane dhe italiane. Abel Ben Mabrouk bin Hamida Boughanmi dhe Mohammed Tahir Riyadh Nasseri u dorëzuan tek autoritetet italiane, ku do të përballen me organet e drejtësisë, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë, por pa dhënë detaje për akuzat me të cilat përballen.

"Dy të dënuarit janë subjekte hetimi të autoriteteve italiane të drejtësisë dhe ata do të gjykohen në Itali", njoftoi Ministria italiane e Drejtësisë. Nasseri u arrestua në Afganistan dhe Boughanmi në kufirin ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit. Të dy ata kishin jetuar më parë në Itali dhe janë mbajtur të burgosur në Guantanamo për më shumë se shtatë vjet.

Ministria italiane e Drejtësisë njoftoi se transferimi u krye në kuadër të një marrëveshjeje që u nënshkrua në shtator nga ministri italian i Drejtësisë, Angelino Alfano dhe prokurori i përgjithshëm amerikan, Eric Holder.
Në Itali, Nasseri akuzohet bashkë me tetë persona të tjerë për veprimtari kriminale, mbështetje të emigracionit ilegal dhe me akuza për terrorizëm, njoftoi agjencia italiane e shtypit ANSA.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›