Itali, kapen 431 kg kanabis, vinte nga Shqipëria

Një sasi prej 431 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa e cila vinte nga Shqipëria është sekuestruar në Bari të Italisë.
Burime të policisë bëjnë me dije se droga është transportuar nga Durrësi me një mjet lundrues, varkë me gjatësi 5 metra me motor 80 kuaj fuqi, i cili është pikasur fillimisht nga forcat operacionale detare në Durrës. “Mjeti lundrues është konstatuar nga Qendra Ndërinstitucionele Operacionale Detare Durrës rreth orës 20.30’ të ditës së djeshme teksa lëvizte me një shpejtësi të madhe. “- informon policia.
Në ndjekje të mjetit janë vënë shërbimet e Delta Forcës, si dhe mjetet e Guardia di Finanzia në Vlorë dhe në Durrës, në bordin e të cilëve janë të dislokuar dhe punonjës të Policisë Kufitare Shqiptare. Gjithashtu policia informon për shkëmbim të informacioneve menjëherë me autoritetet policore Italiane dhe Greke, të cilat organizuan forca dhe mjete për kontrollin e territorit dhe bllokimin e mjetit lundrues.
Autoritetet italianë kanë ndaluar mjetin pas më shumë se 3 orësh ndjekje. Policia shqiptare informon se varka me motor 80 kuaj fuqi, dhe 5 metra e gjatë ku gjendeshin 431 kg kannabis sattiva është ndaluar në orën 00: 45 minuta në Bari. Për momentin policia nuk jep detaje nëse ka pasur të arrestuar në kuadër të këtij operacioni.