Itali, nis punën "Berluskoni 4"
Kabineti i qendrës së djathtë i Kryeministrit të zgjedhur, Silvio Berluskoni, bëri betimin si qeveria e 62-të e pasluftës në Itali. Manjati 71-vjeçar ka rikthyer besnikët e tij në postet qeveritare dhe ka ofruar gjithashtu edhe fytyra të reja. Xhulio Tremonti është ministri i Financave, për të tretën herë radhazi dhe ka detyrën e vështirë të rikthejë në jetë ekonominë e ngecur në vend të Italisë. Pasi kabineti me 21 anëtarë të marrë zyrtarisht detyrën, pritet edhe përballja me dy dhomat e Parlamentit. Berluskoni gjithashtu, ka emëruar anëtar të partisë së tij, Populli i Lirisë, një lloj shkrirjeje mes "Forca Italias" dhe "Aleancës Nacionale", dhe "Ligës së Veriut", në portofolat kyçë të qeverisë. Korrespondentët thonë se sfidat kryesore të qeverisë së re, do të jenë ekonomia dhe gjetja e një zgjidhjeje për çështjen problematike të plehrave të Napolit. Ndihmësi më i afërt i Berluskonit, Xhani Leta, do të kthehet në detyrën e tij të mëparshme si nënsekretar i kabinetit. Një tjetër ndihmës, Sandro Bondi, do të jetë ministër i Kulturës. "Është një ekip i përzierë", thotë analisti politik, Robert Leonardi, nga "London School of Economics", duke komentuar kabinetin e ri. "Në njërën anë kemi një grup njerëzish që i kemi parë edhe më herët, të pritshëm, por në anën tjetër ka edhe një numër njerëzish të rinj, disa prej të cilëve janë disi të panjohur", tha ai. Leonardi shtoi se Berluskoni do të detyrohet gjithsesi të ndërmjetësojë mes forcave konkurruese të Ligës së Veriut, që ka dyfishuar mbështetjen e saj në zgjedhjet e prillit dhe Aleancës Nacionale. Në të shkuarën ka ndodhur që ai t‘i ketë vendosur kundër njëri-tjetrit të dy këto fraksione. Ndoshta do të jetë më e vështirë tani që Bosi është më i fuqishëm brenda koalicionit", tha Leonardi. Ndërkohë, në të përditshmen italiane, "Corriere della Sera", analisti Masimo Franko shkruan: "Ai ka krijuar një qeveri sipas vizionit dhe preferencave të veta dhe kjo përbën një shans të madh, por edhe një përgjegjësi të madhe". Bosi, lideri i lëkundur dhe i njohur për qëndrimet e anti-emigrantëve i Ligës së Veriut, ka marrë portofolin e ministrisë së Reformave. Një tjetër zyrtar i Ligës së Veriut, Roberto Maroni, do të jetë ministri i ri i Brendshëm. Kolegu i tyre i partisë, Roberto Kalderoli, komentet provokative të të cilit mbi islamin ka ngjallur zemërim në Itali dhe Libi, është ministër i "Thjeshtimeve Legjislative", një post i ri ky në kabinetin e katërt të Berluskonit. "Ata kanë shpikur një ministri pa portofol në mënyrë që ta përfshinin atë në kabinet, por pa i dhënë ndonjë pozicion delikat", tha Leonardi. Berluskoni, ndërkohë, ka mbajtur premtimin e tij parazgjedhor duke përfshirë gra në kabinetin e tij. Gjithsej katër ministre, përfshirë ish-titullaren e Shanseve të Barabarta, Stefania Prestixhakomi, tani në krye të ambientit, dhe 31-vjeçaren Xhorxha Meloni, që do të jetë në krye të portofolit të politikave rinore. Berluskoni ka emëruar ndërkohë edhe një ish-prezantuese televizive, Mara Karfanja, në postin e ministres së Shanseve të barabarta.
Kabineti i ri
Kryeministër: Silvio Berluskoni
Min. e Jashtme: Franko Frattini
Min. e Brendshme: Roberto Maroni
Drejtësia: Anxhelino Alfano
Ekonomia: Xhiulio Tremonti
Mbrojtja: Injacio La Russa
Zhvillimi ekonomik: Klaudio Skajola
Edukimi: Maria Stella Xhelmini
Bujqësia: Luka Zaia
Ambienti: Stefania Prestixhiakomo
Infrastruktura: Altero Mateoli
Shëndetësia dhe Puna: Mauricio Sakoni
Kultura: Sandro Bondi
Reformat: Umberto Bosi
Kabineti i ri
Kryeministër: Silvio Berluskoni
Min. e Jashtme: Franko Frattini
Min. e Brendshme: Roberto Maroni
Drejtësia: Anxhelino Alfano
Ekonomia: Xhiulio Tremonti
Mbrojtja: Injacio La Russa
Zhvillimi ekonomik: Klaudio Skajola
Edukimi: Maria Stella Xhelmini
Bujqësia: Luka Zaia
Ambienti: Stefania Prestixhiakomo
Infrastruktura: Altero Mateoli
Shëndetësia dhe Puna: Mauricio Sakoni
Kultura: Sandro Bondi
Reformat: Umberto Bosi