Nis rrugëtimin binomi Putin-Medvedev, por frenat i mban Vladimiri
Parlamenti rus ka miratuar me shumicë dërrmuese ish-presidentin Vladimir Putin si Kryeministër të ri të vendit. Ai i dorëzoi të mërkurën detyrën Dimitri Medvedevit, pasuesit të tij të përzgjedhur, që fitoi zgjedhjet presidenciale të marsit. Duma ruse (dhoma e ulët e deputetëve) votoi me 392 vota pro dhe 56 kundër në favor të Putinit. Në fakt, partia e tij, Rusia e Bashkuar, dominon Dumën. Në një fjalim të mbajtur para votimit, Putin i tha Parlamentit se ai synonte të ulte inflacionin në vend, brenda pak vitesh. Putin tha se Rusia mund t‘ia kalonte Britanisë së Madhe për sa i takon GDP-së këtë vit duke u bërë fuqia e gjashtë ekonomike në botë. Reduktimi i taksave dhe zgjerimi i klasës së aksionistëve, ishin prioritete të tjera, tha ai. Brenda pak orësh pas betimit, të mërkurën, Medvedev, emëroi Putinin, mësuesin e tij, si Kryeministër. Analistët thonë se fuqitë e Kryeministrit do të rriten shumë më tepër nën Putinin dhe është ai që do të mund të qeverisë Rusinë, efektivisht, bashkë me Presidentin. Ky i fundit, u tha deputetëve: "Unë nuk mendoj se mund të ketë nga ata që dyshojnë se bashkëpunimi ynë do të jetë i efektshëm". 55-vjeçari Vladimir Putin, një ish-agjent i KGB-së, u ndalua nga Kushtetuta të kandidojë për një mandat të tretë radhazi në zgjedhjet e marsit. Çështja se kush do ta ketë në të vërtetë pushtetin, do të vazhdojë të ngjallë kureshtje. Putin do të mbetet politikani më popullor në Rusi edhe në të ardhmen e afërt çka do t‘i japë atij pa dyshim një influencë të madhe mbi njeriun që ai vetë e përzgjodhi si pasues të tij. Në fjalimin e tij të mbajtur para Dumës, të enjten, Putin tha se Rusia duhet të renditet mes vendeve lidere në botë, në fusha të ndryshme, si niveli i të ardhurave dhe mirëqenia sociale, cilësia e edukimit, shëndetësisë dhe jetëgjatësia. Ai foli edhe për nevojën e krijimit të një klase reale, masive, investitorësh, duke thënë se edhe njerëzit me të ardhura modeste duhet të ishin në gjendje që të blinin aksione. Por, analistët thonë se detyrat e Putinit do të jenë në të vërtetë të vështira. Në vigjiljen e ditës së fitores, që shënon triumfin e sovjetikëve në Luftën e Dytë Botërore, ai premtoi strehim të përshtatshëm dhe komod për të gjithë veteranët e luftës. Por, në përpjekjet e mëparshme për të reformuar sistemin social, ai ishte tërhequr për shkak edhe të protestave antiqeveritare që kishin ardhur si kundërpërgjigje. Në këtë mënyrë ai ka shtyrë pa afat një numër vendimesh ekonomike, jo fort të mbështetura nga opinioni. Sipas ekspertëve, Presidenti Medvedev do të përballet gjithashtu me beteja të ashpra në Kremlin. Ekziston atje një luftë klanesh për të kapur majat e pushtetit në Rusi. Ka grupe të ndryshme që kontrollojnë aspekte të ndryshme të politikave ruse. Ka edhe grupe të linjës së ashpër që sigurisht janë kundër Medvedevit dhe toneve të tij të zbutura. Gjithsesi, Medvedevi do të përpiqet të përmirësojë imazhin e Rusisë jashtë vendit. Dhe do të ketë jashtëzakonisht nevojë për një afrim me Perëndimin. Një faktor motivues për ta bërë këtë është edhe dëshira për të blerë asete perëndimore.