Fëmijët në Ditën e Evropës
CESES dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, organizojnë sot më 9 maj 2008, Ditën e Evropës, në finalizimin e fushatës njëmujore në rang mbarëkombëtar, "Unë të njoh ty, kaq të ndryshëm, kaq të barabartë". Aktiviteti, prej vitesh zhvillohet në të gjitha qytetet kryesore evropiane, me të rinjtë që vërshojnë drejt Strasburgut e Brukselit, në takime në institucionet kryesore evropiane me europarlamentarë etj. Aktiviteti ka nisur që në fillim të muajit prill në Tiranë, Shkodër, Durrës, Sarandë, Pogradec e Prishtinë dhe realizon konkursin me temën e përmendur më sipër, në ese, punim grafik, koreografi dhe këngë të krijuar nga vetë fëmijët a të rinjtë. Fituesit e çmimeve të para vizitojnë Strasburgun e Brukselin, ndërkohë që çmimet e tjera janë bonuse librash, bursa studimi dhe kurse kompjuteri a gjuhe të huaj, targeti në të cilin konkursi është zhvilluar e synon të rinjtë, duke vënë në qendër të vëmendjes, më të mirët nga gjithë Shqipëria e Kosova. Duke shfrytëzuar rrjetin e gjerë të koordinatorëve të CESES në Tiranë dhe rrjetin e gjerë të bashkëpunimit të krijuar nga QKKF me QKF-të e drejtoritë arsimore në rrethe, drejtoresha e organizimit, njëkohësisht koordinatore e aktivitetit, Ardita Repishti, shprehet që "koordinimi i aktiviteteve shumë të mëdha në: Shkodër, Durrës, Tiranë, Sarandë, Pogradec, Durrës e Prishtinë, është arritur të realizohet në të gjitha disiplinat e sipërpërmendura, me përfshirjen e gjerë të fëmijëve e talenteve të reja, në maratonën evropiane". Në nisje të spektaklit të madh të dhënies së çmimeve kombëtare dhe të performimit të gjimnazistëve të suksesshëm në skenë, spektakël që do zhvillohet në sheshin "Nënë Tereza", në orën 12.00 QKKF e CESES kanë marrë përsipër të realizojnë, në bashkëpunim me Federatën Çiklistike, garën e madhe të biçikletave, ora 11.00, për një Evropë pa smog. Pjesëmarrës në garën e madhe të fëmijëve do të jetë edhe Presidenti i Republikës, z.Bamir Topi, që do të lëvizë me biçikletë bashkë me ta dhe në fund të garimit, do të shpërndajë çmimet e fituesve të vegjël. Aktiviteti zhvillohet me pjesëmarrjen e përfaqësuesit të Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan, të përfaqësuesve të Trupit Diplomatik dhe të drejtuesve të shtetit shqiptar.