E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, "paketa e sigurisë" masa shtrënguese për emigrantët

Paketa e sigurisë" e hartuar nga qeveria "Berluskoni", që rregullon qëndrimin e të huajve në këtë shtet, ka marrë miratimin e Senatit me 154 vota pro dhe 114 kundër. Përmbajtja e kësaj pakete parashikon anulimin e nenit 35 të tekstit unik mbi imigrimin, ku vendosej ndalimi i sinjalizimit të emigrantëve të parregullt, nga ana e personelit mjekësor dhe spitalor. Ndërsa është aprovuar taksa "e famshme" apo kontributi për praktikat e lëshimit dhe ripërtëritjes së lejes së qëndrimit, nga 80 në 200 euro. Por detajet e saj do të përcaktohen me një dekret të mëvonshëm ministror. Ndërkohë që ka "ngecur" neni që parashikonte zgjatjen e ndalimit brenda qendrave të pritjes së përkohshme deri në 18 muaj. Kjo "paketë sigurie" e quajtur ndryshe dekretligji i deleguar 773 ka shtrënguar më tej masat e qëndrimit të emigrantëve në këtë vend.

Martesat dhe shtetësia italiane

Në këtë paketë rreptësohen kushtet për martesat me shtetasit italianë, përmes një ndryshimi të Kodit Civil. Ai parashikon futjen e detyrimit të paraqitjes së lejes së qëndrimit nga çdo emigrant. Një gjë e tillë pengon rreptësisht martesën e një shtetasi italian me një emigrant shqiptar ilegal, pra që nuk ka mundur të sigurojë dokumentet e qëndrimit në shtetin fqinj. Gjithashtu, është zgjatur edhe koha e pajisjes me nënshtetësinë italiane. Specialisti i Emigracionit në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, duke iu referuar kanaleve zyrtare sqaron se "dhënia e shtetësisë me martesë mund të bëhet, pas dy vitesh qëndrimi në territorin e shtetit italian dhe pas tre vitesh, në rastin kur bashkëshorti gjendet jashtë. Kjo kohë përgjysmohet për fëmijët". Ndërkohë që, dispozitat e mëparshme parashikonin një kohëzgjatje prej vetëm gjashtë muajsh. Po kështu duhet të paguhet edhe një taksë 200 euro.

Hyrja dhe qëndrimi i parregullt

Në paketë është përfshirë shkelja e hyrjes dhe qëndrimit të parregullt, por kjo nuk sjell burgosjen e menjëhershme të klandestinit. Por, për këtë, parashikohet një gjobë nga 5-10 mijë euro. Po kështu, parashikohet mundësia e riatdhesimit, pa lëshimin e miratimit nga ana e autoriteteve kompetente. Ndërsa, lidhur me regjistrimin apo ndryshimin e vendit të banimit do të kërkohet certifikimi i përshtatshmërisë së strehimit.

Nga ana tjetër, është bërë detyruese paraqitja e lejes së qëndrimit për të gjitha veprimet e një emigranti lidhur me gjendjen civile.

Për sa i përket çështjes së aplikimit për viza hyrjeje me motiv ribashkimin familjar edhe këtu janë parashikuar disa shtrëngesa.

"Nuk do të jetë më e mundur të kërkosh vizë hyrje, nëse miratimi për hyrje me motive të ribashkimit familjar nuk lëshohet 180 ditë pas përpunimit të praktikës", shpjegon specialisti Hatibi.

Në këtë mënyrë, davaritet edhe një mundësi garancie e ushtrimit të së drejtës familjare, e parashikuar për t‘iu kundërvënë burokracisë tejet të ngadalshme.

Dërgimi i parave

Të ashtuquajturat "shërbime të transferimit të parave" do të jenë të detyruara të kërkojnë paraqitjen e lejes së qëndrimit nga emigranti që e kërkon këtë shërbim. Ndërsa, kopjen e saj do të duhet ta ruajnë për dhjetë vjet. Po kështu, duhet t‘ia komunikojnë ekzekutimin e transaksionit autoriteteve kompetente, në rastin kur bëhet për një subjekt, i cili nuk zotëron leje qëndrimi. Në një situatë të tillë, përgjegjësit e agjencive duhet të njoftojnë, brenda 12 orëve autoritetet vendore të sigurisë publike, duke i përcjellë të dhënat identifikuese të subjektit. Mosrespektimi i kësaj dispozite, nga ana e tyre, ndëshkohet me fshirjen nga lista e agjentëve, në aktivitet financiar.

Taksa mbi lejen e qëndrimit

Kërkesa për lëshimin dhe ripërtëritjen e lejes së qëndrimit do të shoqërohet me derdhjen e një kontributi, shuma e të cilit është përcaktuar mes një minimumi 80 euro dhe një maksimumi 200 euro. Nga ky detyrim përjashtohen lejet e qëndrimit për motive azili, për mbrojtje të përkohshme dhe për motive humanitare.

Pa leje qëndrimi nuk është e mundur të marrësh akte të gjendjes civile, apo t‘i qasesh shërbimeve publike.

Emigranti që me kërkesën e nëpunësve, apo agjentëve të sigurisë publike nuk i bindet, pa motive të justifikueshme urdhrit për të paraqitur pasaportën apo një dokument tjetër identifikimi, ose edhe një dokument që vërteton qëndrimin e rregullt në territorin e shtetit ndëshkohet me arrestim deri në një vit dhe me një gjobë deri në 2000 euro.

Lëshimi i lejes së qëndrimit për rezidentin afatgjatë tashmë do të kushtëzohet me kalimin e një testi të njohjes së gjuhës italiane nga ana e kërkuesit. Modalitetet mbi këtë testim, apo provim do të përcaktohen me dekret të ministrit të Brendshëm, në bashkëpunim me ministrin e Arsimit, universiteteve dhe kërkimeve.

Viza e hyrjes dhe leja e qëndrimit nuk mund të lëshohen dhe nëse bëhet një gjë e tillë do të anulohet, nëse emigranti rezulton i dënuar, pavarësisht se dënimi nuk është përfundimtar, për një prej shkeljeve të përcaktuara në nenin 4, pika 3 të tekstit unik mbi imigrimin.

Dëbimi

Nëse i huaji nuk i bindet urdhrit të largimit të kuestorit, atëherë veprohet me miratimin e një vendimi të ri dëbimi me shoqërim në kufi me ushtrimin e forcës publike, ose kur kjo nuk është e mundur, kuestori rishkruan urdhrin e largimit. Shkeljet e këtij urdhri ndëshkohen me burgim që luhatet sipas tipit të motivit të masës së marrë, nga 1-4 vjet, nga 6 muaj në 1 vit, apo nga 1-5 vjet. "Paketa e sigurisë" do të kalojë për shqyrtim, votim dhe miratim përfundimtar në Dhomën e Deputetëve, sipas kërkesave të legjislacionit italian.

Studentët

Konvertimi i lejes për motive punësimi

Studentët shqiptarë që kanë marrë gradën e doktoratës në Itali, apo një master universitar të nivelit të dytë, me skadimin e lejes së qëndrimit për motive studimi mund të regjistrohen në zyrën komunale të gjendjes civile për një periudhë jo më të gjatë se 12 muaj. Në prani të përmbushjes së kërkesave të parashikuara në Tekstin Unik mbi Imigrimin, atyre u lejohet që të kërkojnë konvertimin e lejes së qëndrimit në atë me motive punësimi

Raste të veçanta

Profesorët nuk kanë nevojë për leje qëndrimi

Lehtësira në "paketën e sigurisë" paraqiten për drejtuesit, profesorët apo personelin e deleguar. Për punëdhënësit që kanë nënshkruar një protokoll të posaçëm mirëkuptimi nuk kërkohet më miratimi "nulla osta". Ai zëvendësohet nga një njoftim i punëdhënësit për propozimin e kontratës së qëndrimit për motive punëmarrjeje, që paraqitet me modalitet informatike pranë sportelit kompetent unik mbi imigrimin

BOX

Kushti

Marrëveshja e integrimit,

detyrimi i ri për t‘u nënshkruar

Emigranti me lëshimin e lejes së qëndrimit, sipas "paketës së sigurisë" duhet të nënshkruajë një marrëveshje integrimi, që ndahet në kredite. Kjo bashkë me zotimin se do të zbatojë objektiva specifike integrimi, gjatë të gjithë harkut kohor të vlefshmërisë së lejes së qëndrimit. Nënshkrimi i marrëveshjes përfaqëson kushtin e domosdoshëm për lëshimin e lejes së qëndrimit. Humbja e plotë e krediteve përcakton anulimin e lejes së qëndrimit dhe dëbimin e emigrantit nga territori i shtetit, me përjashtim të rastit kur ai zotëron leje qëndrimi për motive azili, mbrojtje shtesë, për motive familjare, leje qëndrimi CE të rezidentit afatgjatë, kartë qëndrimi për familjarin e huaj të një shtetasi të Bashkimit Evropian, si dhe të huajit që zotëron një leje qëndrimi dhe ka ushtruar të drejtën e ribashkimit familjar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›