E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, profili i kandidatëve kryesorë për postin e kryeministrit

23-02-2013 / Gazeta 55

Italianët do të vendosin nesër për Berluskonin, Montin apo Bersanin

Italianët do të vendosin për qeverinë e tyre të radhës, ajo që do i nxjerrë nga kriza ekonomike dhe rrjedhimisht liderin e ri të cilit do i besojnë për pesë vitet e ardhshme. Tre janë emrat kryesorë, ish kryeministri Monti, Pierluixhi Bersani, dhe ai që ka qenë katër herë në këtë post Silvio Berluskoni.

Monti

Kryeministri i fundit i Italisë Mario Monti, deklaroi se misioni ishte i përfunduar kur ai dha dorëheqjen në vitin 2012. Por 2013 do të jetë viti që do të tregojë se sa influencë do të ketë ai në të ardhmen e vendit. 69 vjeçari ish komisioner europian zëvendësoi Silvio Berluskonin duke u parë nga italianët si një figurë e ndjeshme dhe e pastër që do e shpëtonte vendin nga falimentimi. Por ajo që shumë italianë menduan atëherë ishte se do të kishte qenë hera e fundit që do të shihnin Berluskonin aq pranë postit të kryeministrit. Monti, i cili në Bruksel njihej si italiani prusian, brenda një kohe të shkurtër fitoi besimin e partnerëve të Italisë dhe të tregjeve financiare. Me mënyrat e tij të të sjellurit jashtë kufijve Monti përcaktohej si një italian jo tipik. Por me kalimin e kohës Monti humbi dhe shkëlqimin e tij. Recesioni u thellua dhe taksat u rritën. Protestat në rrugë sa vinin e bëheshin më të dhunshme. Por marrëdhënia e Montit me kancelaren gjermane Angela Merkel ishte shume domethënëse, pasi për herë të parë pas shumë vitesh, Italia u mor seriozisht në vendimmarrjet e BE-së. I gjykuar shpesh herë si një njeri i ftohtë dhe pa emocione Monti nuk ka pasur asnjëherë mbështetjen e miliona italianëve si Berluskoni. Nga ana tjetër dhe ekonomistët nuk janë shumë të bindur pse reformat e tij kanë funksionuar pasi taksat në vend janë rritur. Monti dhe aleanca e tij e qendrës nuk mund të fitojnë zgjedhjet, por mbeten një element thelbësor për të krijuar mazhorancën e Partisë demokratike në mënyrë që të mund të qeverisë. Por Monti shpeshherë ka bërë të qartë se nuk do të pranojë postin e një ministri në një qeveri reformuese por në të njëjtën kohë nuk do të jetë aleat i një qeverie të mundshme të krahut të majtë të udhëhequr nga Niki Vendola. Por gjithashtu nuk ka fshehur ambicien për të zëvendësuar presidentin Napolitano, kur ai të tërhiqet nga posti. Por ka dhe një alternativë tjetër jashtë Italisë. Në Bruksel ai mund të zëvendësojë Hoze Manuel Barrozon, presidentin e komisionit europian Herman Van Rompi si kreun e këshillit Europian të liderëve të BE-së.

Bersani

Nuk kishte njeri më të lumtur se lideri i partisë demokratike Pier luixhi Bersani natën që kryeministri Berluskoni deklaroi dorëheqjen në nëntor të 2011-ës. Bersani, ishte një nga ata mijëra italianë që dolën në rrugë për të festuar largimin e Berluskonit. Por mendimi i një rikthimi në pushtet të ish kryeministrit ka bërë që Bersani të hedhë akuza të përditshme kundër kavalierit. Një njeri me pamje normale dhe me cigaren e tij toskane në dorë Bersani duket se ka siguruar tashmë vetëm votat e mbështetësve të partisë së tij pa mundur të depërtojë më tej. Djali i një mekaniku me një servis të vogël në veri të Piacencës, Bersani është përpjekur të rrëzojë pamjen e provincialit duke thënë se do të marrë shqetësimet e italianëve dhe do ti pasqyrojë në qeverinë e tij, nëse do të fitonte.

Edhe pse Bersani dhe Monti kanë mohuar idenë e një aleance të mundshme, ata kanë një rival të përbashkët Berluskonin.

Berluskoni

Katër herë kryeministër i Italisë, Silvio Berlusconi, nuk ka pasur asnjëherë frikë që të guxojë në 17 vjet që ai ka dominuar jetën politike në Itali. Vendimi për të garuar dhe njëherë për postin e kryeministrit në moshën 76 vjecare duket si sfida e tij e fundit politike. Ai gëzon ende mbështetjen e miliona italianëve, dhe nëse ka një gjë që ai di ta bëjë mirë është pikërisht fushata elektorale. Ai ka fituar tre herë nga pesë garat elektorale që nga viti 1994 dhe ka ofruar një performancë më të mirë se ajo që pritej pavarësisht se sondazhet gjithnjë e kanë paragjykuar qendrën e tij të majtë. Gjatë periudhës në pushtet ai gjithnjë është munduar të tregojë se si ndihet pranë italianëve të zakonshëm. Pas tërmetit që goditi Akuilan në vitin 2009, ai ishte ndër të parët që shkoi në zonë për të ngushëlluar banorët. Dhe për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare atje, ai organizoi samitin e G8-ës pikërisht atje duke shoqëruar presidentin amerikan Obama që të shihte dëmet e shkaktuara në zonë. Por politikat e jashtme të Berluskonit nuk kanë qenë gjithnjë në të njëjtën linjë me aleatët europianë.

Protestat kundër tij u bënë gjithnjë e më të shpeshta dhe më të dhunshme duke kulmuar me agresionin fizik që iu bë vetë atij në dhjetor të 2009-ës. Por menjëherë pas kësaj ishte radha e mbështetësve të tij të dilnin në rrugë. Edhe brenda partisë së tij Berluskoni nuk e ka pasur shumë të lehtë të ruante popullaritetin. Krisja e parë ndodhi me Finin, bashkëthemeluesin e partisë, por dhe pasardhësi më i mundshëm i Berluskonit. Për shkak të debateve brenda partisë Gianfranko Fini u largua nga partia. Por një nga arsyet kryesore që Berluskoni filloi të humbiste popullaritetin ishte pikërisht numri i madh i problemeve ligjore me të cilat po përballej. Çështja e njohur me emrin Bunga Bunga ishte dhe ajo që dha goditjen finale, kur në 2011 i dëmtuar dhe nga kriza financiare që kishte goditur vendin, Berluskoni dha dorëheqjen. Atë natë italianët dolën të festonin në rrugë përfundimin e periudhës së Berluskonit. Partia e Berluskonit mbështeti qeverinë teknokrate të Montit, dhe ishte pikërisht tërheqja e kësaj mbështetjeje që çoi në dorëheqjen e Montit. Edhe pse këshilltarët e tij i kishin thënë që të mos kandidonte Berluskoni deklaroi se ishte kandidati më i mirë për rimëkëmbjen e vendit të tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›