E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nokshiqi, në krahinën e Plavë-Gucisë

23-02-2013 / Nga Ramiz Lushaj

1. Nokshiqi historik, turistik e kulturor në krahinën e luginën e moçme dhe të re të Plavë-Gucisë, nga premja natyrore gjeo-fizike me njat’ përthyemjen harkore përfundi fshatit, përskej rrjedhës lumore të Limit, e merr mrekullisht “formën e gjysëm hanës”. Në këto “Bjeshkë të Visitorit e të Komovit” në jetë e mote Nokshiqi (Ndokajt) i ka pasë të gjitha të mirat e mundshme në krahashtrimjen alpine e luginore: lumin përbri e liqenin në afri, rrafshin e malin, vrrinin e bjeshkën Vraçevë, trupimin kryqavijë të rrugëve kalimtare me randësi rajonale, krojet, kopshtijet e pyjet, bletën, peshkun e kaprollin, drutë e zjermit e gurët e kullave. Në “Alpet Shqiptare të Veriut”, bash në zemër të kësaj mrekullie të rrallë natyrore, nga akullnaja e dikurshme e Plavës (me 35 km gjatësi) u formësue gropashtrirja e sotme me prejardhje glaciale-morenike, që rrokën një hapësirë rreth 250 km2 ujatokë. Në shtratin e saj, në rrënjët e dy maleve përkundruall, tamam në 907 m. lartësi mbidetare, u krijue baseni terminal i liqenit të Plavës me kufinj hapësinor 1.990.007 m2, me 9.1 m. thellësi dhe me 690. 950 m3 vëllim ujëmbledhës.
Nokshiqi tokëlidhet përjetësisht me liqenin sykaltër të Plavës, pasi ndodhet ngjitas kryerrjedhës lumore të Limit. Ky vendbanim anas ka hedh rrënjë e degë jete nëpër shekuj me gjeo-histori e etno-kulturë. Sot, në shek. XXI, në këtë truall epik e lirik nuk gjurmon astenji kambë shqiptari dhe askush nuk të flet në trojeniken gjuhë Shqipe. Rregjimi sllavo-ortodoks i Malit të Zi kreu disa spastrime etnike të egra dhe gjenocide të përgjakshme kundër shqiptarëve autoktonë nokshiqas. Nokshiqasi monumental, Esad Mekuli, i lindun në bregore të këtij liqeni të kaltër më 17 dhjetor 1916, ish-kryetari i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i pagëzuar “bard i letërsisë shqipe në Kosovë”, tek poezia: “Në liqenin e Plavës” adhuron me nostalgji: “Ja ku më ke, Liqen i dashur: mu në bregun tënd / - të ëndërruar, të dëshiruar /…bukuri e vendlindjes…”/.
Njëri nga ata jetëgjatët e shtatlartët e kësaj krahine biblike, Shaban Bali Nokshiqi, në rrugecje bisede, aty tek Memoriali i Adem Jasharit në Tiranë - pranë Bllokut të Ambasadave, në qershor 2012, na fjalaflet përmallshëm: “Me ndejt edhe pak muaj tek liqeni i Plavës, në ato lugje e male nga Nokshiqi në Vuthaj, të zgatet jeta…”.
Në rrethatim të liqenit të Plavës i kanë pasë vendverimet bjeshktare mëkambës romak të provincës ilire dhe zyrtarë të lartë të tyre (kuestorë, prokuratorë, legatë), dinastia e Nemanjasve, priftërinj të Patriakanës së Pejës dhe të Manastirit të Deçanit, (në territorin verior disa vendbanime ishin “metohi” – toka në shërbim të kishës, si në Plavë, rrethina të Limit, në Guci, etj.). Autoritete politike-administrative-ushtarake të Perandorisë Otomane si Kara Mahmut Pasha, përndryshe Veziri i Shkodrës kanë pas ngrit aty “rezidenca verore” – biles edhe sot një breg mbi liqen të Plavës dhe një majemali në Guci  ende thirren “Maja e Vezirit”.
2. - Nga liqeni i Plavës grykon lumi i trojeve etnike shqiptare - Limi që trupon në katër shtete ballkanike: Shqipëri, Mal i Zi, Serbi e Bosnje-Hercegovinë gjersa derdhet në lumin tjetër: Drina, degë e pellgut ujëmbledhës të Danubit që bahet pjesë e Detit të Zi. Faktikisht Limi gjeo-historik lundron në toka të lymta (Lim-Lym) duke rrjedhanisë nga lumi i Vermoshit në bjeshkë të Kelmendit të Gurit dhe është i vetmi lumë i Shqipërisë Londineze që shtegton nga perëndimi drejt lindjes, çka i mundësoi prej vitit 1992 pjesmarrjen në Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), [9] një nga nismat e veprimtaritë shqiptare me mjaft përfitime strategjike-politike dhe ekonomiko-financiare. Kur Vermoshi hyn në territorin shqiptar të Malit të Zi, në krahinën e Plavë-Gucisë, tue marrë emnin “Gërçar” (ngricë) dhe teksa teposhtet nga Gucia, tuj u bigue me lumin e Vrrujës (ujë i vrullshëm) emnohet ndryshe: lumi Luça (Luca) që delton në liqenin e Plavës, të cilin “agallarët dhe bejlerët e Gucisë e patën ruajt me xhelozi”. Burri i ditun i Nokshiqit, Mulla Haxhi Smajl Efëndi Adem Mekuli, shpesh e thoshte në xhaminë e tij në fshatin e vet dhe në atë të Plavës si dhe në odat e kuvendet malësore se “ky liqen është dhuratë e Zotit”. Kryetari i Fondacionit Plavë-Guci me seli në Nju Jork, mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj, në një mesazh në FB më pohonte se “mrekullitë e natyrës shqiptare përgjatë rrjedhës së Limit, nga Gërçari në grykderdhjen e epërme liqenore dhe në rrethina të Nokshiqit të japin pamje që i mahnitin mërgimtarët e botës në Tempullin e Demokracisë”.
3. - Limi burimon nga liqeni i Plavës dhe rrjedh nëpër toka të bajrakut të Arzhanicës apo komunës së dikurshme të Murinës tue mbledhë në dy anët ujna nga lumenj (Bebëza – në lindje të Plavës) dhe sheu (i Pepajve, i Arzhanicës), etj., ndërsa nga e djathta – prej fshatit Nokshiq i vargavijnë disa sheu si ai i Ujkanit, i Groshit, i Hysve (Hysenaj-Mekulwve), i Stajve, i Micanit e i Ranishës. Në rrjedhën e epërme lumi i Limit lundron nëpër disa fshatra shqiptare (të çpopulluem apo rralluem nga shqiptarët etnikë ose popullsi asimilueme nga shteti malazez e feja ortodokse). Në të djathtë shtrihen Nokshiqi, Velika, Zhanica (Ar-zhanica) e Komorani (Komoraça), kurse në të majtë Brezovicën (Brezaren) e Pepajt. Në ecje e ndanë përgjysmë Murinën (qendër zyrtare), pastaj rrugëton duke e lanë në të djathtë Mashnicën dhe në të majtë Vizitoret e Ulëta me Qafë Previ (Prejvija) dhe Kullën e Sheremetit. Në shtegtimin e vet trupon përmes Llugave drejt Suqeskës tue i kalue Andrijevicës në të majtë dhe shkue drejt komunave të Beranit e të Bjellopojës deri në pikëpjekjen ujore me lumin Drina (Drinus në Bosnjë – emën me rrënjë ilire. Lumi i Limit në rrjedhaecjen e tij ndahet në tre pjesë të mëdha territoriale (sipas shteteve) si ajo malazeze, serbe e boshnjake, ku krahina e Plavë-Gucisë ende mbetet ma e pazhvilluara në të gjitha drejtimet e jetës, ndërkohë që të tjerat prej kohësh kanë një lulëzim e begatim industrial, turistik, bujqësor, kulturor. Lugina në rrjedhën e epërme të Limit cilësohet edhe si “Ultina e Epërme e Limit”, që përfshin disa vendbanime etnike shqiptare të mëdha e të vogla si: Nokshiqi, Murina, Arzhanica (Arat e zhagitutuna të Nikës), Pepajt, Brezovica, Velika, Komorani, Mashnica, të cilat tashma janë të populluem me etni malazeze, serbe, boshnjake etj. Nokshiqi në vitin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare (1912) ishte i banuem tanësisht me shqiptarë. Një fshat i pastër nga ana etnike. Ashtu sikurse edhe në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.  Në vitin 1953 kishte 308 banorë, nga të cilët shqiptarët ishin tepër të paktë. Në vitin 2003 struktura e popullsisë së saj fshatare kishte 75 serbë (91.46 për qind), 6 malazezë (7.31 për qind), asnjë shqiptar. Në vitin 2013 u rrudh edhe ma shumë: numëron 72 vetë. I fundmi shqiptar që ka folë shqip në Nokshiq është Vllaka – Zeqir Mekuli, pasi ky i mbylli sytë në vitin 1978. Tashti aty vetëm vorret e shqiptarëve frymojnë Shqip…
4. - Nokshiqi, ky fshat alpin dardan, rrënjas arbnor, me jetnim në tokën e fisit të fuqishëm ilir të Autariatëve të antikitetit, kufitohet me vendbanime historikisht shqiptare: nga ana perëndimore me Pepaj, nga lindja me Metehin, nga jugu me Brezovicën dhe nga veriu me Velikën. Në hartën administrative të komunës së sotme të Plavë-Gucisë me 486 km2 dhe mbi 14.000 banorë, Nokshiqi është një nga fshatrat e tij, që i prêt nokshiqasit të rikthehen në trojet e veta, pasi i kanë tapitë e tokavë të tyne, sipas dokumentacionit në gjuhën osmane të ruajtura me kujdes nga hoxha i Nokshiqit, Smajl Adem Mekuli, baba i akademikut Esad Mekulit, që provon pronësinë e nokshiqasve, ku mbi gjysma e fshatit trojenik iu përket Mekulëve të pushkës e të penës. Kjo tokë etnike shqiptare e Nokshiqit, e kwtij fisi të lashtë kelmendas, me beteja epope e epokale nga armët prehistorike deri tek ato moderne, ende kullon gjak për liri e pavarësi kombëtare: prej nga Kryengritja Shqiptare Kundërosmane (1683-1690), tek Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), tek Shpallja e Pavarësisë në Vlonë (1912) dhe  në Luftën e Kosovës (1999). Eposi popullor ia gdhend Nokshiqit legjendar portretin epik kontributor kombëtar nëpër shekuj me vrellimin poetik: Si dy male i rrijnë Historisë, /Nokshiqi e Vlora e Pavarësisë…
 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›