E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, qëllohet kryetarja e komunës në provincën Varese

ITALI- Të shtëna në zyrat e komunës Cardano al Campo, në provincën e Varezes në Itali. Një burrë ka hyrë në ndërtesë duke qëlluar me pistoletë kryetaren e komunës Laura Prati e cila ka mbetur e plagosur rëndë. I plagosur ka mbetur edhe nënkryetari i komunës Iametti. Mësohet se që të dy janë dërguar me helikopter në spital.

Ndërkaq agresori i kapur nga karabinierët vetëm pak minuta më pas, quhet Giuseppe Pegoraro, ish polic rrugor i pezulluar nga shërbimi. Episodi dramatik ndodhi rreth orës 9 e 30 min të mëngjesit kur agresori hyri në Komunë I armatosur me pistoletë. Pasi largoi punonjësit, iu drejtua zyrës së kryetares së komunës të cilës i qëlloi disa herë dhe ndërsa largohej tha-“I lava hesapet. Më pas ai qëlloi një herë edhe nënkryetarin e komunës, duke qëlluar edhe kundër një agjenti të policisë por që nuk arriti ta godiste. Pegoraro, ishte pezulluar nga shërbimi pas akuzave për mashtrim, një çështje ku ishin përfshirë edhe punonjës të komunës dhe ku ai ishte dënuar me 2 vjet burg. 

(e.m/e.rusi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›