E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: MSA do reflektohet edhe në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm

PRISHTINË-Suksesi në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit do të reflektohet në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, tha sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. 

"Kjo marrëveshje është themeli mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja evropiane e Republikës së Kosovës", theksoi ai.
Si kryeministër i vendit, vijoi ai, dua të shpreh mirënjohjen time të lartë për të gjithë ata që kontribuuan dhe që do të kontribuojnë në përmbylljen me sukses të kësaj marrëveshjeje në një afat rekord. 

"Marrëveshja si e tillë, përveç çështjeve politike, përfshin edhe ato ekonomike, pra çështjet rreth zhvillimit ekonomik dhe tregtisë. Prandaj, suksesi në implementimin e kësaj marrëveshjeje do të reflektohet në ngritjen e cilësisë dhe sigurisë së mjedisit afarist për të gjithë investitorët, qofshin vendorë, qofshin të huaj", tha kryeministri Thaçi. 

Ai vlerësoi se, progresi i shënuar tregon se politikat ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë të efektshme dhe suksesshme në krijimin e kushteve për rritjen dhe zhvillimin ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, dhe për ngritjen e mirëqenies materiale dhe shoqërore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›