Itali, rëndohet bilanci i viktimave, numërohen 250 të vdekur

Rëndohet edhe më tej bilanci i viktimave nga tërmeti që goditi të hënën Italinë, pasi janë gjetur trupa të tjerë të pajetë. Është të paktën 250 numri i viktimave të shkaktuara nga lëkundja e rëndë sizmike e Abrucos. Ndërkohë që të paktën 11 trupa nuk janë identifikuar ende. 50 janë të humbur, teksa një mijë persona janë të plagosur, nga të cilët 100 janë në gjendje të rëndë. Ndërsa rajoni i Abrucos, në Itali, është tronditur sërish dje në mbrëmje, nga të tjera lëkundje tërmeti. Lëkundja më e fundit është shënuar rreth orës 23:30 me një magnitudë 3.8 ballë të shkallës Rihter. Një gje e tillë ishte njoftuar edhe më herët nga ekspertë të sizmiologjisë, të cilët sqaruan se levizje tektonike do te ketë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Teksa në këtë situatë të trishtuar për popullin italian, ekipet e shpëtimit kanë vijuar punën, duke shpresuar se mund të gjenden nën rrënoja persona të tjerë që mund të jenë gjallë. Në ndihmë të skuadrave vendase të shpëtimit, kanë mbërritur edhe vullnetarë nga vende të tjera që janë solidarizuar menjëherë me këtë situatë.