Itali, rregulla të reja për emigrantët

Të gjithë emigrantët ilegalë përfshi edhe ata shqiptarë që ndodhen në Itali do të kenë një muaj kohë për tu pajisur me dokumentat e qëndrimit, nga 15 shtatori deri në 15 tetor.
Sipas një vendimi të qeverisë italiane dokumentat për qëndrimin e tyre në shtetin Italian do ti marrin vetëm ata emigrantë, punëdhënësit e të cilëve duhet të paguajnë një taksë prej një mijë eurosh.
Nga ky vendim përfitojnë ata persona që kanë qëndruar në mënyrë ilegale në shtetin Italian që nga 31 dhjetori i 2011-ës, gjë e cila duhet të vërtetohet nëpërmjet dokumentacioneve që janë përdorur si abone, gjoba etj.
Emigrantët që nuk përfitojnë nga ky legalizim janë janë ata që përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe rendin publik si dhe personat që janë dëbuar për këtë arsye. Gjithashtu të përjashtuar nga kjo mundësi janë edhe ata që janë dënuar për shfrytëzim të emigracionit klandestin, për shfrytëzim të të miturve dhe të prostitucionit.
Nga kjo mundësi pritet të fitojnë shumë emigrantë shqiptarë, por nga ana tjetër edhe arkat e qeverisë italiane që janë në krizë pasi pritet të futen në arkat e shtetit rreth 2.5 miliardë euro.