Itali, rrëzohet një nga akuzat ndaj Berluskonit
Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, i mbytur me procese gjyqësore për akuza nga më të ndryshmet, ka arritur të hedhë pas krahëve njërin prej tyre kur Gjykata e Milanos vendosi ti shpallë të pavlefshme akuzat për evazion fiskal. Procedurat për këto akuza kundër tij u pezulluan. Por, procesi do të vazhdojë kundër djalit të tij, Pier Silvio Berluskoni (president i grupit), të cilit i duhet të japë llogari mbi evazionin fiskal në Mediaset. Në akuza përfshihen dëmtimi i konkurrencë me abuzimin e të drejtave televizive të filmave të transmetuar ndër vite dhe fshehjen e një pjese të fitimeve. Gjykatësja në Milano tha se nuk ka prova që e lidhin Berluskonin me këtë çështje. Por, Kryeministrit i mbeten tani edhe tri çështje të tjera gjyqësore për korrupsion, mashtrim me taksat dhe marrëdhënie seksuale me të mitura.