E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, shqiptarja padit motrën e ministres së Integrimit: Më rrahu

ROME – Ndërsa ministrja Cecile Kyenge duhet të përballet çdo ditë me batuta raciste e të çojë përpara betejat e saj për integrimin e të huajve në Itali, një episod dhune me në qendër motrën e saj, shkon në kah të kundërt me fjalët e veprimtarinë e ministres së Integrimit.

Motra e ministres së Integrimit, Kapya Kyenge (e njohur si Dora), është paditur nga fqinja e saj shqiptare Afërdita Beqiri, e cila e akuzon atë për dhunë fizike.

Dy gratë jetojnë në Ginestro në shtëpitë popullore. Në një grindje mes fqinjësh, 46-vjeçarja Dora Kyenge ka gjuajtur me grusht në kokë Afërdita Beqirin, dhe e ka kërcënuar me vdekje. Madje i ka kujtuar edhe se i ka shpatullat të mbuluara me motrën parlamentare. Sipas shqiptares Beqiri, Dora Kyenge nuk ka kursyer fjalët e ulëta as për Shqipërinë.

Beqiri ka shkuar në spital për lëndimet e marra dhe pas një muaji ka paraqitur padi për lëndime, kërcënime dhe sharje. Prokuroria ka vendosur thirrjen e Dora Kyenges para gjykatësit të Paqes, ku Afërdita Beqiri ka vendosur të jetë paditëse civile.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›