Itali, sot pritet verdikti për Berluskonin
Në Itali pritet me interes vendimi i Gjykatës Supreme të Apelit pwr ish-kryeministrin Silvio Berluskoni. Ai akuzohet për evazion fiskal. Vendimi i gjykatës mund të ketë pasoja për të gjithë Italinë.
Silvio Berluskoni, tashmë i akuzuar dhjetëra herë, mund të dënohet për herë të parë në procesin e quajtur Mediaset. Në dy instancat e mëparshme 76-vjeçari u dënua me katër vjet burg dhe me ndalim të funksioneve publike për pesë vjet.
Meqë Berluskoni e ka kundërshtuar çdo vendim të deritanishëm gjyqësor, duke e çuar çështjen në gjykatën e Apelit, vendimi është pezulluar. Tani Gjykata e Kasacionit në Romë e ka radhën, për ta zgjidhur çështjen në instancë të fundit.
Nëse gjykata supreme italiane e apelit e konfirmon verdiktin e fajësisë, Berlusconi do të dënohej për herë të parë me një vendim, që hyn në fuqi. Gjyqtarët e gjykatave më të ulëta në Milano e konsideruan të vërtetuar se Berluskoni ka kryer evazion fiskal me transaksionet e koncernit të tij mediatik, Mediaset.
Vendimi mund të ketë pasoja për qeverinë italiane
Por vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen politike personale të Berluskonit. Nëse Berlusconi duhet të dorëzojë mandatin e tij në senatin e Romës, kjo mund të ketë pasoja edhe për qeverinë italiane. Partia e Berluskonit, Populli i Lirisë, (PdL), është partneri kryesor në koalicionin e kryeministrit socialdemokrat, Enrico Letta. Spekullohet se PdL mund të largohet nga koalicioni tashmë i dobët i qendrës së majtë, në rast të një vendimi për fajësinë e Berlusconit nga gjykata më e lartë e apelit.
Një rrjedhojë mund të jenë zgjedhjet e reja, një manovër e rrezikshme kjo për këtë vend të dobët të Eurozonës, i cili ndodhet që prej më shumë se dy vjetësh në recesionin më të thellë që nga viti 1945 dhe që vuan nga një papunësi e lartë.
Nëse multimiliarderi Berluskoni vërtetë do të dergjet në një qeli burgu, është shumë e pabesueshme. Për shkak të moshës së tij 76 vjeçare dënimi me burg, siç është e zakonshme në raste të tilla në Itali, do të kthehet në arrest shtëpie. Më i dhimbshëm për ish-kryeministrin mund të jetë fakti, se për të do të jetë e vështirë, që të mbrohet nga dënimet në proceset e tjera, pa mandat publik. Kundër Berluskonit po zhvillohen edhe disa procese të tjera, si për korruptimin e kundërshtarëve politikë dhe në të ashtuquajturin “procesi Ruby”.