E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi në familje, gruaja ther bashkëshortin me thikë

Mirash Doda e Vitore Suçi kishin vetëm 3 javë që ishin martuar. Dëshmitarët: Gruaja donte të ikte nga shtëpia

TIRANË- Një histori dashurie dhe dhune ka përfunduar në një krim në familje paraditen e djeshme në kryeqytet. Një 40- vjeçar është vrarë me thikë nga bashkëshortja, me të cilën kishte vetëm tre javë i martuar. Mirash Doda ka marrë një goditje të vetme thike në zemër dhe kjo i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Dëshmitarët e këtij krimi të rëndë ishin anëtarë të të dyja familjeve, të cilët kishin shkuar atje për të sqaruar situatën.

Mirash Doda, 40- vjeç dhe Vitore Suçi, 28 vjeç, kishin vetëm tre javë që ishin martuar. Të dy vinin nga martesa të dështuara dhe shkuesia kishte bërë që ata të lidheshin bashkë. Por sapo ka celebruar martesën, çifti është njohur me problemet e para. Fqinjët e tyre pohuan se të dy ishin shumë të varfër dhe kjo kishte bërë që ata të grindeshin shpesh herë me njëri- tjetrin. “Gjatë këtyre tre javëve ata më shumë janë zënë se sa kanë shkuar mirë”,- thanë fqinjët e tyre. Sipas tyre, paraditen e djeshme, Vitore Suçi kishte vendosur që të ikte nga shtëpia. Ajo do të kthehej tek prindërit e saj në Paskuqan dhe donte të ndahej nga 40- vjeçari Mirash Doda. Por ky i fundit nuk e ka pranuar këtë gjë. Në këto kushte, vajza 28- vjeçare ka thërritur prindërit e saj që të shkonin në shtëpinë tek Bregu i Lumit dhe ta merrnin. Ku ata kanë shkuar atje, rreth orës 14.00, është rindezur edhe një herë konflikti mes Mirashit dhe Vitores. Në një moment gruaja ka tentuar që të ikë por kur 40- vjeçari e ka ndaluar ajo ka marrë thikën e bukës. Dëshmitarët okularë pohuan se ata nisën të ziheshin sërish dhe gruaja kërcënonte se do ta vriste me thikë ndërsa burri e qëllonte me gurë por pa iu afruar.

Në një moment Mirash Doda i është afruar të shoqes dhe ajo e ka qëlluar me thikë. Goditja ka qenë tepër e fortë dhe e ka prekur 40- vjetarin në zemër. Ai është rrëzuar përdhe i mbuluar nga gjaku. Personat që ndodheshin pranë e kanë hipur në një makinë dhe e kanë nisur me urgjencë për në Spitalin Ushtarak. “40-vjeçari Mirash Doda është qëlluar me thikë në banesë dhe më pas ka vdekur, në Spitalin Ushtarak, pa arritur që të marrë ndihmën e duhur mjekësore”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Tiranës. Sipas tyre, autorja e krimit është bashkëshortja e viktimës, Vitore Suçi, 28 vjeç, lindur në Mat dhe banuese në Lagjen Paskuqan, Kamzë. “Ngjarja ka ardhur pas një grindjeje të çastit midis çiftit, gjë e cila vërtetohet dhe nga dëshmitarët okularë të ngjarjes. Nga ana e grupit hetimor, është bërë i mundur sigurimi i armës së krimit, e cila është një thikë që plotëson kushtet e armës së ftohtë. Motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë midis autores dhe viktimës, paraprakisht mendohet të jenë problemet ekonomike”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit. Ato shpjeguan se autorja e krimit, Vitore Suçi, dhe dëshmitarët okularë të ngjarjes janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr 3.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›