E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, u rrah barbarisht dhe u hodh në plehra, 24-vjeçarja shqiptare lufton me vdekjen

ROME– 24-vjeçarja Xhuli Toska është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, pasi u rrah mizorisht një javë më parë, para të bijës 4-vjeçare dhe u hodh në plehra nga 28-vjeçari Emerson D’Esposito, tashmë i arrestuar.

Ky i fundit e ka qëlluar me shpulla e shkelma, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në mushkëri dhe në shpretkë, lëndime të brendshme, plagë e trauma të shumta në kokë dhe në trup.

24-vjeçarja mbahet në spitalin Loreto Mare të Napolit në gjendje kome farmakologjike, mjekët e mbajnë nën kontroll të vazhdueshëm dhe e konsiderojnë gjendjen e saj “të qëndrueshme, por shumë të rëndë”.

Në shenjë solidariteti me të renë shqiptare, gra e burra janë mbledhur përpara spitalit për të protestuar kundër dhunës ndaj grave. “I pari shans i barabartë për një grua është të mos i merret jeta”, “Burrat e dhunshëm nuk duhen kuptuar, por duhen dënuar”, - lexohej në parullat që mbanin në duar manifestuesit.

Policia e Napolit që po heton mbi ngjarjen, ka arrestuar Emerson D’Esposito rreth 24 orë pas agresionit. Ai akuzohet për tentativë vrasjeje dhe mbajtje armësh pa leje.

I marrë në pyetje ai ka pranuar menjëherë agresionin, madje edhe që e ka rrahur për vdekje ndërsa në shtëpi ishin edhe dy fëmijë të vegjël, vajza 4-vjeçare e Toskës dhe një djalë 3 vjeç e një të reje tjetër shqiptare që jetonte me viktimën e që është e fejuara e D’Espositos.

D’Esposito ka rrëfyer gjithashtu se kujtonte se Toska kishte vdekur nga e rrahura ndaj edhe e kish futur në një thes plastik plehrash, për ta hedhur më pas në kazanin e plehrave.

Policia bën të ditur se kanë qenë fqinjët ata që kanë dëgjuar rënkimet dhe kanë parë qesen e plehrave të lëvizë dhe menjëherë kanë dhënë alarmin. Ndërsa D’Esposito është larguar duke marrë më vete edhe të dashurën e tij dhe dy fëmijët e vegjël.

I pyetur mbi shkakun e agresionit, D’Esposito ka treguar se ka qenë një grindje e lindur mes tij dhe Toskës, sepse kjo e fundit nuk pranonte që ky të nxirrte nga xhiroja e prostitucionit të dashurën e tij.

Policia vazhdon hetimet për të verifikuar nëse ka gisht në agresion edhe e dashura e tij, ndërkohë dy fëmijët e vegjël, me vendim të gjykatës për të miturit janë çuar në një shtëpi familje.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›