E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, vdes shqiptari, mjekët e nxorën nga spitali pa asnjë diagnozë



Një emigrant shqiptar ka vdekur pak orë pasi i ishte nënshtruar një kontrolli të plotë mjekësor në Spitalin e Kivasos në Torino. 42-vjeçari doli nga spitali pasi mjekët i kishin thënë se gjendja e tij shëndetësore ishte e mirë. Sipas raportit të mediave italiane, Spitali i Kivasos në Torino ka hapur hetim për të gjetur përgjegjësit e vdekjes së një punëtori shqiptar. Xhevdet Agaj, 42 vjeç, ka humbur jetën të martën në mëngjes, ndërsa një ditë më parë i ishte nënshtruar një kontrolli të plotë mjekësor pasi kishte ndjerë dhimbje të forta në gjoks. Shqiptari kishte qëndruar në spital i shtruar në pavijonin e urgjencës për 12 orë, u ishte nënshtruar të gjitha analizave, madje dhe kardiogramës për të matur presionin e lartë të gjakut. Dy mjekë ishin kujdesur për shëndetin e tij dhe më pas ishte larguar drejt shtëpisë. 42-vjeçari, babai i një fëmije 8-vjeçar dhe i një fëmije që do të vijë në jetë pas 3 muajsh, ka gjetur vdekjen në banesën e tij gjatë orëve të natës.

Kartat e identitetit, vazhdojnë problemet në Vlorë, Elbasan dhe Krujë

Tiranë - Vazhdojnë problemet me aplikimin për letërnjoftimet elektronike në disa rrethe të vendit. Problematike paraqitet situata në qytetin e Fushë-Krujës, në qarkun e Elbasanit dhe në Vlorë. Sipas banorëve që presin të aplikojnë, mungesa e energjisë elektrike ka bllokuar punën duke krijuar radhë të gjata. Ata shprehen për gazetën se energjia elektrike ka ardhur vetëm 30 minuta në një prej lagjeve të Fushë-Krujës, në lagjen “Kastrioti”. Ndërkohë, punonjësit e zyrave të aplikimit për letërnjoftimet nuk pranojnë të prononcohen për situatën. Edhe në qarkun e Elbasanit, në Belsh, rreth 50 shtetas kanë pritur sot në radhë për të aplikuar për kartat. Shkak për ndërprerjen e procesit të aplikimit duket se kanë qenë defektet në aparatura.
Rasti më domethënës është kallëzimi penal që kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka bërë për kompaninë shpërndarëse. Sipas Gjikës, procesi i menaxhuar nga qeveria dhe kjo kompani është i dështuar dhe selektiv në favor të Partisë Demokratike. Kryebashkiaku i Vlorës, gjatë një deklaratë për mediat, tha se kishte kërkuar informacion të plotë për ecurinë procesit nga shoqëria, por sipas tij kërkesa ka rënë në veshë të shurdhër. Gjika deklaroi se nga 46 242 aplikantë, për të cilët nuk jepet asnjë informacion se sa janë pa pasaportë, deri dje janë shpërndarë vetëm 23 601 karta identiteti. Kjo ka qene arsye për cilën kryetari i Bashkisë së Vlorës ka depozituar edhe kallëzimin penal në Prokurorinë e qytetit.

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›