E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet Kastriot Llupi, u dënua me 5 vjet burg për transportin e 40 kg drogë



Gjirokastër – Forcat e Policisë së Gjirokastrës kanë mundësuar kapjen dhe ndalimin e 19-vjeçarit Kastriot Llupi, lindur dhe banues në lagjen “Manalat” të këtij qyteti. Sipas të dhënave policore, ndalimi i tij u bë pasi ndaj tij rëndon vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë i datës 25.02.2009, me 5 vjet burg, për veprën penale “trafikim të narkotikëve”, parashikuar nga Neni 283 /a /2 i Kodit Penal. Kastriot Llupi, më datë 20.02.2008, së bashku me dy personat e tjerë, S. K. nga Gjirokastra dhe S. R. nga fshati Lazarat, po transportonin rreth 40 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në drejtim të shtetit grek. Këta dy persona janë aktualisht të arrestuar, pasi u kapën në flagrancë nga policia në malin e Bodrishtës të rrethit Gjirokastër, ndërsa Kastriot Llupi mundi të largohej duke përfituar nga errësira.

Aksidenti rrugor, humb jetën drejtuesi i motoçikletës, plagoset pasagjeri

Tiranë – Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë në aksidentin që ndodhi dje në afërsi të Vorës, në aksin Fushë-Krujë - Vorë. Sipas të dhënave policore rezulton se shkak për këtë aksident është bërë përplasja e dy të rinjve që udhëtonin me një motoçikletë me një trajner. Dy viktimat e aksidentit po udhëtonin me motor teksa janë përplasur me një trajler. Kështu, në spital ka përfunduar 21-vjeçari Leonik Doda dhe 18-vjeçari Harri Lleshi dhe më pas, që të dy janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku po marrin ndihmën e specializuar mjekësore. Por për fat të keq, 18-vjeçari Lleshi ka ndërruar jetë në spital. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, i riu nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Përcillet për në banesën e fundit Artan Zeka, vrasja jo për motive politike

Tiranë - Është përcjellë dje për në banesën e fundit Artan Zeka, i cili vra dy ditë më parë në fshatin Qerret të Durrësit. Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra qytetarë, miq dhe të afërm, si dhe kandidatë të PD-së në qarkun e Durrësit. Artan Zeka u vra nga Skënder Balla, bashkëfshatar i tij, tashmë i arrestuar. Sipas policisë, vrasja ka ndodhur teksa 32-vjeçari po vendoste postera dhe flamuj të Partisë Demokratike dhe se Skënder Balla ishte simpatizant i PS-së. Megjithatë nuk ndajnë të njëjtin mendim me policinë banorët e fshatit. Ata shprehen se vrasja e se premtes, e cila prishi qetësinë e një fshati të panjohur ndonjëherë për tensione zgjedhore, nuk ka pasur motive politike. Banorët thanë se vrasja ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Dëshmitarë okularë nga vendi i ngjarjes u shprehen se para realizimit të vrasjes nuk ka pasur ndonjë sherr në lokalin mes Artan Zekës dhe Skënder Ballës për motive politike. Sipas tyre, Skënder Balla kishte qëlloi nga një distancë e konsiderueshme, në drejtim të të gjithëve, pa pasur në shënjestër qëllimisht viktimën. Madje për të shmangur një krim të dytë policia ka marrë në ruajtje familjen e Skënder Ballës, ndërsa bashkëshortja e tij, pasi ka larguar dy fëmijët nga shtëpia, këmbëngul se i shoqi nuk simpatizonte asnjë parti.

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›