E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jam 157 vjeç, edhe unë do të votoj”

Në listat e Ministrisë së Brendshme rezultojnë 2801 votues nga mosha 110 deri në 157 vjeç. Listat e zgjedhësve përmbajnë shumë gafa dhe dublikime

Nga Lorenc Vangjeli

Ministria e Brendshme fton të votojnë dhe shpirtra të vdekur. 2801 shqiptarë të moshës nga 110 deri në 157 vjeç vazhdojnë të rezultojnë në listat e votuesve. Gafa të pafundme me emrat, aty ku mungojnë të dhënat personale, ato zëvendësohen me tre “X”-e. Një lëmsh i pafundmë me dublikimet e emrave dhe të tjera ngatërresa qesharake në to: qytetarë që nuk ekzistojnë, por që do t´u duhet të “votojnë” dhe personazhe të tjerë që mungojnë në lista. Duke nisur që me bashkëshorten holandeze të ministrit të Jashtëm shqiptar.

Shpirtrat e vdekur

Është më shumë se tallje. Është tragjike. Ministria e Brendshme, në fakt, edhe është tallur, edhe i ka marrë shqiptarët për budallenj, edhe shpreson të detyrojë OSBE/ODIHR-in të bëjë figurë të keqe përpara publikut që beson se misioni i tyre do të garantojë standardet e ndërtuara nga kjo qeveri që po e çon vendin në zgjedhje. Janë plot 2801 qytetarë shqiptarë me moshë nga 110 deri në 157 vjeç, që sipas Ministrisë së Brendshme duhet të votojnë më 28 qershor. Logjika të thotë se ata i kanë larë prej kohësh hesapet me këtë botë dhe se prej shumë e shumë vitesh nuk kanë më asnjë dilemë për ekzistencën apo jo të botës së përtejme. Por Ministria e Brendshme duket se beson në atë botë: ajo i fton ata të votojnë. Fillimisht duke marrë kartë identiteti nëse nuk kanë pasaportë. Ndryshe, vendimet e njëpasnjëshme të qeverisë “Berisha” nuk do t´i lejojnë ato as të marrin pensionin, as patentën për drejtimin e makinës dhe as të kuturisin të hyjnë në ndonjë provim në universitet. Gjithkush mund të kontrollojë listën në adresën zyrtare www.moi.gov.al, të klikojë në të mes të ekranit, sipër dhe djathtas fotografisë së ministrit Bujar Nishani dhe do të gjejë aty arsye edhe për të qeshur, edhe për të qarë. Ndoshta edhe për të qenë krenarë sepse si popull, i kemi të gjitha gjasat, sipas shembujve të dhënë, të krijojmë një brez qindravjeçarësh që në mos njëherë, njëherë tjetër, do të shkojnë të votojnë për të ardhmen e tyre, të fëmijëve të tyre, të nipërve, mbesave, stërnipërve, stërmbesave, stër stër stër stër... nipërve dhe stër stër stër stër... mbesave të tyre.

Kërkim dhe në varreza

Revista “MAPO” konsultoi listat e votuesve në qytetin e Korçës dhe me gjithë tentativat e përsëritura, dështoi në gjetjen e Llazo Qiriazit, sa për të dhënë një shembull tjetër. Zoti Llazo, i biri i Aleksit, ka lindur në datën 5 janar 1857 dhe është 152 vjeç. Më 28 qershor ai do të votojë në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”. Adresa e fundit për të ka qenë Shën Triadha, emri me të cilën njihen varrezat e qytetit, por dhe atje nuk rezultoi fizikisht varri i tij. Ministria e Brendshme, pavarësisht kërkesës së përsëritur, nuk dha asnjë konfirmim të mundshëm nëse zoti Qiriazi ndodhej në Shqipëri, apo kishte emigruar jashtë, apo dhe kishte migruar në ndonjë qytet tjetër brenda vendit.

Të përjashtuarit

Ata nuk ndajnë të njëjtin fat me shqiptarët e kësaj liste të cituar, ndonëse mjaft më të njohur se ta nuk gjenden në listat e votimit. Aurela Isufi (Basha), bashkëshorte e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, nuk ndodhet në listat e votuesve. Nuk e kanë harruar. E kanë hequr. Duke respektuar ligjin. Me dekret të ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, me numër 4117, në vitin 2004, zonja Basha ka lënë shtetësinë shqiptare, në këmbim të shtetësisë holandeze, ku është rezidente. Nenet 15 dhe 16 të Ligjit Nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, përcaktojnë se kushtet për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare për të rriturit dhe të miturit nisin me premtimin ose dhënien e shtetësisë së re nga një shtet tjetër, rezidencën në atë vend, mungesën e ndjekjes penale dhe detyrimeve ligjore të pashlyera në Shqipëri, marrëveshjen prindërore. Neni 15 për mbarimin e shtetësisë shqiptare përcakton: “Shtetësia shqiptare merr fund me kërkesë të personit, kur ai ... ka mbushur moshën 18 vjeç... nuk mbetet pa shtetësi si rezultat i heqjes dorë nga shtetësia shqiptare meqenëse ka shtetësi të huaj, fiton shtetësi të huaj ose garanton se do të fitojë shtetësi të huaj”.
Duke qenë holandeze, zonja Basha nuk mund të votojë më në Shqipëri. Bashkëshorti i saj shqiptar, ministri i Jashtëm, Basha, është në akuzë penale për shpërdorim detyre për shkak të shkeljeve financiare në segmentin “Rëshen-Thirrë-Kalimash”. Ai mbrohet duke thënë se kush është kundër rrugës, nuk është patriot. Ministri voton. Nuk dihet në ka kartë identiteti, por është e sigurt që ka pasaportë diplomatike. Është në listat e Ministrisë së Brendshme. Për të mos u larguar nga shembujt me Ministrinë e Jashtme duhet thënë se edhe bashkëshorti i zëvendësministres së tij, Edit Harxhi, ka pasaportë, shtetësi dhe kombësi turke. Zonja Harxhi ka shtetësi të dyfishtë. Bashkëshortja e sekretarit të Përgjithshëm të po së njëjtës ministri është me shtetësi dhe kombësi franceze. Të dy bashkëshortët e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar nuk mund të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit.

Gafat

Kushdo që ka në dispozicion një kompjuter të lidhur me internet mund të shndërrohet në dëshmitar të gafave të tjera të Ministrisë së Brendshme. Në listat e publikuara nga ajo mund të gjenden shtetas të cilëve u mungon emri apo mbiemri dhe janë shënuar në to me tre “X”-e, si një personazh i famshëm i filmave amerikanë me aksion. Ka plot mungesa emrash, gabime që lidhen me germat e veçanta të shqipes, si “ë”-ja, “ç”-ja e të tjerë.

Marrë me shkurtime nga revista “MAPO”

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›