E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali,100 viktima nga tërmeti

Autoritetet italiane kanë konfirmuar se bilanci i tragjedisë është rënduar, pasi janë numëruar të paktën 100 të vdekur, ndërsa burime jozyrtare nga Ambasada e Maqedonisë në Itali thonë se në mesin e të vdekurve janë edhe katër shqiptarë nga ky vend, mes të cilëve edhe dy fëmijë. Sipas këtyre informacioneve, shqiptarët që kanë humbur jetën janë R. F. 44 vjeç, N. A. 41 vjeçe dhe dy fëmijët V. O. 13 vjeçe dhe N. A. 11 vjeç. Bëhet e ditur se katër viktimat kanë jetuar në qytetin italian Akuila, që ka qenë edhe epiqendra e tërmetit. Një tërmet prej 6,3 shkallë të Rihterit e ka goditur në mëngjesin e së hënës pjesën qendrore të Italisë, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen dhjetarë persona, ndërsa shumë të tjerë konsiderohen të zhdukur, ndërsa kërkimet vazhdojnë. Tanimë autoritetet italiane konfirmojnë vdekjen e rreth 100 personave nga tërmeti që goditi zonën qendrore të vendit në orët e para të mëngjesit të sotëm. Përveç viktimave, shumë persona të tjerë gjenden nën rrënoja dhe flitet se numri i viktimave mund të shkojë deri në 150. Ministri i Brendshëm i Italisë, Maroni, bëri të ditur se bilanci i tragjedisë është rënduar, pasi janë numëruar rreth 100 të vdekur. "Mendojmë se në fund të kërkimeve bilanci i të vdekurve të mbyllet me 150 vdekur", ka pohuar Maroni i dëshpëruar. Po ministri theksoi se e rëndësishme është që të shpëtojnë ata që mund të kenë mbetur gjallë nën rrënoja, duke u bërë thirrje qytetarëve italianë që të gërmojnë pa ndalur. Ndërkohë, në orët e mëngjesit numri i viktimave ishte rreth 30, ai është rritur në 50, më pas 70 dhe së fundmi konfirmimi zyrtar është për 100, por burime të ndryshme thonë se vdekjen kanë gjetur 92 persona në mesin e tyre edhe 5 fëmijë, ndërsa llogaritet se 50 mijë persona që kanë mbetur të pastrehë. Autoritetet theksojnë se rreziku për shembjen e ndërtesave gjysmë të shkatërruara është ende i pranishëm. Drejtues të Mbrojtjes Civile i bëjnë thirrje popullatës që të mos udhëtojë në zonën e prekur nga lëvizja sizmike. Punonjës të shumtë të emergjencave civile si dhe vullnetarë po punojnë për ngritjen e kampeve dhe tendave për të pastrehët e shumtë. Ndërkohë, më herët, kryeministri italian Silvio Berluskoni ka njoftuar edhe për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›