Kermabon: EULEX-i tërësisht funksional

Shefi i EULEX-it Iv de Kermabon ka deklaruar të hënën se misioni që ai drejton është tërësisht funksional.Në inaugurimin me rastin e kalimit të selisë kryesore në një ndërtesë të re, Kermabon ka përkujtuar se ky është misioni më i madh i Bashkimit Europian që prej themelimit të tij. "Progresi nuk mund të arrihet brenda natës. Megjithatë na ndihmon fakti se ka respekt për parimet e sundimit të ligjit, për të drejtat individuale, për pavarësi dhe ndarje të barabartë të drejtësisë. Të gjitha këto janë suksese kyçe për EULEX-in dhe gjithashtu suksese me rendësi për Kosovën", tha Kermabon. Kermabon është shprehur se me rreth tre mijë pjesëtarë, EULEX është më i madh se nëntë operacione civile së bashku që BE-ja drejton në mbarë botën. Ai ka shtuar se Unioni 27 anëtarësh është i përkushtuar ndaj stabilitetit të rajonit dhe të ardhmes së tij në BE. Shtrija e EULEX-it në Kosovë ka filluar më 9 dhjetor 2008. Deri më tani ky mision ka 2.500 pjesëtarë ndërkombëtarë dhe rreth 500 vendorë.