OSBE:Zgjedhjet në Maqedoni i plotësuan standardet

Raundi i dytë i zgjedhjeve vendore dhe presidenciale në Maqedoni, i cili u mbajt të dielën, ka përmbushur standardet e OSBE-së dhe Këshillit të Europës për zgjedhje të lira dhe demokratike. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga misioni i OSBE-ODIHR në Maqedoni. "Jemi të kënaqur që pamë atmosferë të qetë dhe një proces zgjedhor të organizuar mirë, edhe pse disa aspekte të fushatës e zvogëluan seriozisht kualitetin e këtij procesi zgjedhor", deklaroi Piter Ajker, shef i misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR. OSBE-ODIHR ka vlerësuar se procesi i votimit ka kaluar mirë edhe pse ka pasur disa parregullsi procedurale."Problemi i votimit familjar edhe pse u zvogëlua, prapë ishte prezent në 13 përqind të vendvotimeve që vëzhguesit tanë kanë vizituar", është thënë në konferencën e OSBE-ODIHR. Sipas përfaqësuesve të këtij misioni përqindja e ulët e votimit në zgjedhjet presidenciale paraqet rrezik që në të ardhmen të mos përmbushet pragu elektoral prej 40 përqindësh, që mund të sjellë sipas tyre përsëritjen e zgjedhjeve. Kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov doli fitues në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Maqedoni. Ivanovi ka arritur të fitojë si president, përballë kandidatit të opozitës socialdemokrate Lubomir Fërçkovski, por duke arritur edhe pragun prej 40 përqindësh të votuesve në Maqedoni, që ishte një parakusht kryesor që zgjedhjet të jenë të suksesshme.