E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack:Të largohet UNMIK-u nga Kosova

Deputetja e Parlamentit Europian Doris Pak ka deklaruar se EULEX duhet shtrirë në tërë territorin e Kosovës dhe nuk ka nevojë më për UNMIK-un. Pak e bëri këtë deklaratë, pas takimit me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke kërkuar gjithashtu që të zgjidhet sa më shpejt edhe Avokati i Popullit, si institucion shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Eurodeputetja Pack ka marrë falënderimet më të larta të hënën nga presidenti kosovar Sejdiu, i cili ka shprehur zotimin e institucioneve të Kosovës për të përmbushur kriteret për të qenë anëtare të BE-së në një të ardhmë të afërt. Ndërkaq, eurodeputetja Pack ka theksuar se në Kosovë ka parë një progres të dukshëm, një qeveri stabile që ka arritur shumë që nga shpallja e pavarësisë, mirëpo sipas saj kërkohet një zhvillim edhe më i madh, i cili do të jetë në interes të të gjithëve, jo vetëm në interes të shqiptarëve, por edhe të serbëve dhe të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë. Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të cilën, eurodeputetja Pack ka thënë se Agjencia kundër Korrupsionit duhet të kryejë punën e saj. Ndërkohë Pack ka thënë se është me rëndësi që 27 shtetet e Bashkimit Europian e kanë pranuar pasaportën e Kosovës, gjë e cila është një shenjë e mire. Kjo është vizita e fundit e eurodeputetes Doris Pack para përfundimit të kësaj detyre, pasi që Parlamenti Evropian do të përballet me zgjedhje të reja.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›