Itali,260 viktima nga tërmeti

Të tjera goditje të forta sizmike janë ndjerë sërish në zonat e goditura nga tërmeti i së henës, duke mbajtur akoma të gjallë frikën në rajonin e Abrucos. Ende pa kaluar traumën e tërmetit shkatërrimtar, banorët e pjesës qendrore të Italisë janë përfshirë sërish nga paniku. Mediat italiane raportojnë se është konfirmuar vdekja e të paktën 260 personave, ndër të cilët 16 janë fëmijë, ndërsa ekziston ende frika se bilanci i viktimave mund të shtohet edhe më tej.Megjithatë ekipet e shpëtimit vazhdojnë punën për të nxjerrë nga rrënojat trupa të pajetë, por edhe për të asistuar ata që janë plagosur nga kolapset e ndërtesave. Ndërkohë, një studente është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e një ndërtese më lokalitetin 'Vila Xhoja' e Akuilas pas 42 orësh. 21 vjeçarja nga Rimini, Eleonora Kalezini kishte mbetur e bllokuar nga disa materiale inerte. Vajza i ka mbijetuar disa lëkundjeve radhazi. "Ishte e vetëdijshme dhe na fliste gjatë operacionit të ndihmës", u shprehën zjarrfikësit që e shpëtuan. Zjarrëfikësit, babai dhe xhaxhai i Eleonorës kanë gërmuar gjithë natën në shi, nëpër rrënoja deri sa e kanë gjetur studenten 21 vjeçare. Por ndërkohë shoqja e Eleonorës, me të cilën ajo jetonte në një shtëpi, edhe ajo studente, nuk ka arritur t'i mbijetojë katastrofës. Një vajzë tjetër e quajtur Valeria është shpëtuar nga ekipet e shpëtimit, pasi kishte qëndruar 24 orë rrjesht nën gërmadha, dhe priste ndihmë. Gjithashtu është raportuar për më shumë se 1000 të plagosur dhe 25 mijë të tjerë të zhvendosur nga rajoni i goditur. Operacionet e kërkim - shpëtimit kanë gjetur trupat të tjerë të pajetë. Gjatë natës u nxorrën nga rrënojat në Akuila, kufomat e dy grave, të cilat ndodheshin në banesë gjatë kohës që ra tërmeti i së hënës. Edhe mëngjesin e së mërkurës sërish janë regjistruar levizje sizmike, veçanërisht në Akuila. Po kështu edhe gjatë mbrëmjes të së martës ka patur të tjera tronditje, levizje që janë ndjerë nga te gjithë, madje banorët thonë se edhe ato ndertesa që kanë mbetur pa u shembur, janë lekundur për një kohë të gjatë. Tërmeti i orës 23.30 të së martes ka qenë me manjitudë 3.8 ballë i shkallës Rihter. Viktima janë shkaktuar jo vetëm nga tërmeti, por edhe nga të tjera motive që kishin si shkak pikërisht tronditjen e madhe të pësuar pas tërmetit. Keshtu një burrë 76 vjeçar vdiq si pasojë e një ataku kardiak, pasi nuk e kishte përballuar dot tronditjen dhe ankthin e pësuar nga kjo situatë e dhimbshme, e pas lëvizjeve sizmike që u ndjenë edhe në kryeqytetin italian, por edhe më gjerë.Ndërkaq, Presidenti i vendit Xhorxho Napoletano ka lajmëruar një vizitë në zonat e prekura nga tërmeti, për t'u solidarizuar me personat e prekur nga fatkeqësia. Një vizitë gjatë javës së ardhshme është njoftuar edhe nga Papa Benedikti XVI.