E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia: 640 kg drogë erdhën nga Shqipëria

TIRANE-Fiks pas 24 orësh, kur në grykëderdhjen e Semanit, policia e Fierit do të gjente sasinë prej 1 ton e gjysmë drogë që për destinacion kishte Italinë, nga përtej detit vijnë rezultatet e një operacioni të nisur dy ditë më parë dhe të përfunduar mëngjesin e djeshëm.
Shtatë persona në pranga dhe 640 kg marijuanë janë të dhënat e operacionit të Guardia di Financa të realizuar në Bari dhe Breshia ku edhe u kap sasia dhe 6 të shënjestruarit e policisë italiane.
Sipas mediave vendase pesë nga të arrestuarit janë shqiptarë ndërsa dy të prangosurit e tjera janë shtetas italianë, të cilët kishin marrë përsipër lëvizjen e lëndës narkotike nga Bari deri në Breshia. Lënda narkotike thuhet se vinte nga Shqipëria nëpërmjet Adriatikut dhe se kishte destinacion kryesisht veriun e Italisë. Baza e ngarkesave saktësohet se ishte qyteti i Breshias, ndërsa mësohet se një sasi droge është sekuestruar në një lokal që sipas policisë dhe hetimit italian ishte në pronësinë e një 30-vjeçari shqiptar. Aty hetimi vendas ka instaluar edhe agjentët e vet për të bërë të mundur kapjen jo vetëm të personave të përfshirë në trafikun e drogës, por edhe sasinë prej 640 kilogramëve të lëndës që sipas tyre kishte shkuar nga Shqipëria. Policia italiane bën të ditur se ka qenë pikërisht vënia nën përgjim e këtij personi që ka bërë të mundur zbulimin e grupit si dhe sekuestrimin e lëndës. Saktësohet se hetimet vazhdojnë dhe se priten arrestime të reja po për këtë linjë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›